Shkeljet ligjore të gjyqtarëve nuk sanksionohen

Prishtinë | 10 Dhj 2019 | 07:36 | Nga Ekonomia Online

Shkeljet ligjore të gjyqtarëve të konstatuara nga Gjykata Supreme nuk ka kush t’i sanksionojë.

Kjo, për faktin se vendimet e këtij institucioni po vazhdojnë të trajtohen si aktgjykime me karakter vetëm deklarativ ose konstatues të shkeljes së ligjit, duke mos prodhuar asnjë pasojë juridike, shkruan sot Koha Ditore. Kohëve të fundit janë paraqitur një mori rastesh ku Supremja ka vendosur pas kërkesave të parashtruara nga ana e Prokurorisë së Shtetit për mbrojtje të ligjshmërisë.

Po ashtu, ka nxjerrë aktgjykime me të cilat konstatohet shkelja e ligjit penal, konform nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK). Por nuk janë prishur vendimet e formës së prerë të gjykatave të ulëta, respektivisht ato të Gjykatës së Apelit, duke u kufizuar vetëm në konstatimin e shkeljeve.

Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme së fundmi e ka bërë Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Ky institut i ka rekomanduar Supremes që përmes një vendimi unifikues neni 438 të interpretohet në atë mënyrë që garanton se vendimet nuk mbesin vetëm deklarative, dhe që efekti i tyre në raport me vendimet e gjykatës më të ulët të jetë i detyrueshëm.

Dhënia e një interpretimi të tillë sqarues nuk është marrë parasysh nga Gjykata Supreme.

“Drejtësia Sot” ka trajtuar disa vendime të Gjykatës Supreme, e cila ka vendosur mbi kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruara nga Prokurori i Shtetit. Në të katër rastet e trajtuara, Gjykata Supreme ka gjetur se Gjykata e Apelit ka bërë shkelje të Ligjit penal.

Rasti i parë ka të bëjë me lëndën e ish-shefit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, dhe të biznesmenit Rrahim Hashimi.

Mënyra se si është trajtuar ky rast ka mundësuar që i njëjti të mos i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor për këtë lëndë dhe me një vendim të formës së prerë të mbyllet lënda. Sipas vendimit të Supremes, Gjykata e Apelit ka tejkaluar kompetencën e saj duke ndërhyrë në kompetencën e Gjykatës Themelore dhe “duke vendosur lidhur me vlerësimin e fakteve kontradiktore, fuqinë provuese të këtyre fakteve, dhe duke konkluduar se i pandehuri nuk është kryerës i veprës penale”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme