Shkeljet në komunikacion, gati 7 mijë gjoba në rajonin e Ferizajt gjatë muajit gusht – u konfiskuan 61 patentë shoferë

Prishtinë | 03 Sht 2024 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Gjatë muajit gusht 2024, Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë masa të ashpra për të garantuar sigurinë në rrugët e qytetit, duke shqiptuar gjithsej 6759 gjoba për shkelje të ndryshme në komunikacion. Ndër shkeljet më të zakonshme ishin tejkalimi i shpejtësisë dhe parkimi i parregullt.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë këtij muaji janë hequr 61 patentë shoferë, kryesisht për kundërvajtësit që kanë kryer shkelje të rënda, ku parashikohet masa mbrojtëse e heqjes së patentë shoferit. Në vijim janë disa nga kundërvajtjet më të shpeshta të evidentuara:

Tejkalim i shpejtësisë: 2084 gjoba

Parking i parregullt: 1193 gjoba

Mos respektimi i shenjave të komunikacionit: 713 gjoba

Mos mbajtja e distancës në mes të automjeteve: 203 gjoba

Skadimi i afatit të regjistrimit të automjetit: 142 gjoba

Mos përdorimi i rripit të sigurisë: 107 gjoba

Drejtimi i automjetit pa patentë shofer: 104 gjoba

Tejkalim në vijë të plotë ose vend të ndaluar: 24 gjoba

Drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit: 4 gjoba

Të tjera: 2185 gjoba

Policia e Ferizajt ka theksuar se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur ndërgjegjësimin e shoferëve lidhur me rregullat e qarkullimit rrugor.

Autoritetet bëjnë apel që qytetarët të bashkëpunojnë me policinë, duke raportuar çdo shkelje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose përmes numrave të urgjencës 192, 0290/326-250, dhe 0290/322-406.

Policia garanton që të gjitha të dhënat e qytetarëve që raportojnë shkelje do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.

Të ngjashme