Publicisti, Shkëlzen Gashi, ka thënë të shtunën se Dush Gashi nuk është përzgjedhur në Bordin e Radio Televizionit të Kosovës ani pse është burrë i tezës së kryeministrit, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka treguar se Dushi ka afër 40 vite përvojë në media.
“Për fat të keq, deputetët e Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës, s’e paskanë përzgjedhë për anëtar të Bordit të RTK-së. Sidoqoftë, Dushin nuk e kam kushëri, por Kryeministri i Kosovës e ka burrë të tezes”, tha Gashi.
Njohësi i çështjeve politike ka aluduar te standardi i punësimeve, duke shtuar pyetje sesi do të vepronin kryeministrat e kaluar nëse do të aplikonte ndonjë familjar i tyre, madje pa e pasur “përvojën e Dushit”.
“Si do të reagonin mediat po të përzgjedhej Dush Gashi anëtar i Bordit të RTK-së: s’do të merrej askush me përgatitjen profesionale të Dush Gashit, por vetëm me lidhjet e tij familjare me Kryeministrin”, thotë ai.
Opozita në Kosovë kritikon Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për nepotizëm.
Sipas tyre janë disa familjarë të ministrave dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që janë punësuar nëpër institucione publike.
Madje, për këtë temë nisi edhe “sherri” në Kuvendin e Kosovës ndërmjet ministres së Drejtësisë, Albulana Haxhiu dhe deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu.
Pikërisht, akuzat në fillim ishin për “punësime familjare”.
Dihet që kritika për nepotizëm ka qenë një nga shtyllat e diskursit të Lëvizjes Vetëvendosje si opozitë.
Gjithashtu “mundësi për të gjithë”, ka qenë një nga premtimet e Albin Kurtit dhënë në fushatë zgjedhore.