Publicisti Shkëlzen Maliqi e quan pavarësinë e Kosovës një projekt shekullor, por rikujton se ajo nuk është rrumbullakuar ende, prandaj vlerëson se duhet bërë më shumë, në mënyrë që puna e nisur të kryhet me sukses.
Ai mendon se qytetarët e duan shtetin e Kosovës, të shpallur para 10 vjetësh, ndërsa thotë se pavarësia ende është proces i papërfunduar, prandaj Kosova duhet t’i përmbushë obligimet që ka para vetes.
“Pavarësia e Kosovës nuk është rrumbullakuar ende në plotni. Nuk jemi ende anëtar të Kombeve të Bashkuara, domethënë shtet sovran që i ka të gjitha të drejtat si shtetet e tjera sovrane. Prandaj, duhet të jemi më fleksibilë në përmbushjen e disa obligimeve, që kjo të realizohet. Duhet ta duam edhe ardhmërinë e brezave të rinj, të fëmijëve tanë, jo vetëm atë që e kemi arritur para 10 vjetëve, sepse storja nuk është e përfunduar ende ashtu si duhet”, shprehet ai.
Maliqi konsideron se ajo që ka arritur Kosova është diçka e madhe, por vetëmashtrimi nuk duhet të ndodhë.