Rreth orës 11 e 45 minuta, ka pasur të shtëna me armë zjarri në rrugën “Luan Haradinaj”, afër monumentit “New Born” në Prishtinë.
Nga të shtënat janë rrezikuar qytetarët e rastit në këtë rrugë që është shumë e frekuentuar.
Basketbollisti i Sigal Prishtinës dhe Kombëtares së Kosovës, Edmond Azemi, ka treguar se vetura e tij është goditur nga një plumb.
Ai ndodhej në veturë së bashku me familjen e tij dhe vetëm fati i ka shpëtuar nga më e keqja.
Policia e ka bllokuar qarkullimin në këtë rrugë, që është një nga kryesoret në Prishtinë. Policia ka konfirmuar për Ekonomia Online se ka gjetur tri gëzhoja në vendngjarje.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar se ka pasur të shtëna rreth orës 11:45 minuta në rrugën “Luan Haradinaj”.
“Nuk ka të lënduar dhe policia po i kryen ekzaminimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, tha Ahmeti.
Ndërkaq, është mësuar se policia ka ndaluar 4 persona të cilët janë shoqëruar në stacionin policor.