Shkëndija e Tetovës sot (e mërkure) në mbrëmje ka mundësinë ideale për të mbyllur në mënyrë përfekte këtë sezon. Pasi siguruan titullin e dytë në historinë e klubit kuqezinjtë tetovarë nëse mposhtin sot Pelisterin mund të bëjnë të tyren edhe Kupën e Maqedonisë që do të ishte gjithashtu trofeu i dytë pasi e kanë fituar këtë kompeticion edhe në sezonin 2015-2016.
Në finalen skuadra e Qatip Osmanit do të ketë përballë Pelisterin dhe pavarsisht se ndeshja do të zhvillohet në qytetin e Manastirit, Shkëndija është dukshëm favorite në këtë duel që do të mbyllë sezonin në Maqedoni.
Pak ditë më parë Shkëndija e mposhti Pelisterin me rezultatin e thellë 4:0 në kampionat duke festuar në mënyrën më të mirë fitimin e titullit kampion dhe në të njëjtën kohë duke e rrëzuar nga kategoria Pelisterin që u rendit i fundit. Tashmë kuqezinjtë synojnë hakmarrjen edhe në Kupë ndaj kësaj skuadre për finalen e humbur një vit më parë 4:3 pas goditjes së penalltive.
Një fitore e Shkëndijës do t’i hiqte mundësinë Pelisterit për të marrë pjesë në turin e parë kualifikues të Europa League sezonin e ardhshëm dhe do të gëzonte një tjetër skuadër shqiptare pikërisht Shkupin që do të siguronte pjesëmarrjen në Europë pasi e mbylli kampionatin në vendin e katër. Sot e gjithë shqiptaria është me Shkëndijën jo vetëm sepse skuadra e Qatip Osmanit ka mundësi për të fituar të dy trofetë sezonalë në Maqedoni por edhe për faktin se mund ta çojë në tetë numrin e skuadrave shqiptare që do të marrin pjesë në kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm. Pelister-Shkëndija do të luhet sot në orën 20:00.