“Shkodra Elektronike” në lojë të zjarrtë me zhurmat e përditshmërisë

Prishtinë | 03 Jan 2026 | 21:25 | Nga Ekonomia Online

Në një kohë kur gjithçka kërkon formë të qartë dhe mesazh të lexueshëm, dyshja zgjedh të mbetet në gjendje habie. “Jetojmë në kohna pezullimi, ku ashtë e zorshme me kuptu ku shkon njerëzia, Evropa, Shqipnia, Shkodra, dugajtë e reja, familja… shumë thjesht… kangët tona reflektojnë këtë ndjesi”, thotë dyshja e “Shkodrës Elektronike”, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca. “Zjerm” në “Eurovision” është vetëm një stacion i vitit 2025

Nuk është thjesht një emër në skenë. “Shkodra Elektronike” është një projekt që ka lindur jashtë kufijve fizikë të Shkodrës, por që e bart atë në thelb të tingullit të vet. Është një duet ku elektronika bashkëjeton me traditën shqiptare, një përzierje e zhurmave moderne dhe kujtesës muzikore të një qyteti që nuk resht së punuari në gjuhë, ritëm dhe kujtim. Kjo mënyrë e të menduarit muzikor e ka bërë “Shkodrën Elektronike” një emër që shkon përtej shenjakëve të zakonshëm muzikorë, një folje që shpreh veprimin e të kaluarit mes botëve të ndryshme artistike.

Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji e kanë mbjellë muzikën e tyre larg vendlindjes, në Itali, por kjo largësi nuk i ka zhveshur nga fryma e Shkodrës. Madje i ka shtyrë të kërkojnë mënyra jokonvencionale për ta sjellë atë në tingullin bashkëkohor. Në vend që të marrin nga repertori folklorik si relikte nostalgjie, ata i kanë ndarë këto elemente në grimca të vogla dhe i kanë shtyrë drejt një gjuhe që s’ka frikë të përballet me elektronikën dhe strukturat moderne të muzikës. Kjo përzierje midis kujtesës së qytetit dhe teknologjisë së sotme i jep qasje unike, ku tradita nuk është më maskë, por është gjuhë aktive.

Nuk është rastësi që ky projekt më 2025 ka përfunduar në “Eurovision” – një ndër skenat më të mëdha muzikore në Evropë – me këngën “Zjerm”. Nga festat lokale e deri te përfaqësimi kombëtar, përzgjedhja e tyre në Festivalin e Këngës të RTSh-së, si dhe renditja në vendin e tetë në finalen evropiane dëshmojnë se ajo që lindi si qejf eksperimentimi mund të gjejë jehonë edhe përtej kufijve gjeografikë dhe stileve të zakonshme. Performancat e tyre nuk janë vetëm paraqitje muzikore; janë një shprehje ku teknologjia takohet me kujtesën kolektive, një sintezë që sfidon pritshmëritë e publikut për atë që mund të quhet “folkloriku” i epokës së re.

Zanafilla dhe kuptimësia e “Shkodrës…”

Fillimi i “Shkodrës Elektronike” nuk lidhet me një vizion të artikuluar apo me një plan afatgjatë. Nuk ka pasur projekt në kuptimin klasik të fjalës, as ambicie për t’u pozicionuar në skenë, as pretendim për të ndërtuar një identitet të mbyllur muzikor. Zanafilla ka qenë shumë më e thjeshtë dhe, pikërisht për këtë arsye, më e sinqertë.

“Ka kenë vetëm nji qef me eksperimentu me kangë shkodrane, kurrgja ma pak a ma tepër”, kanë thënë anëtarët e dyshes për KOHËN. Një qejf për të provuar. Një reagim që nuk kërkon legjitimitet dhe nuk i detyrohet askujt për shpjegim.

Eksperimentimi këtu nuk nënkupton shkatërrim apo provokim, por një liri fillestare e fakti që gjithçka nis si “qejf”, e zhvesh procesin nga serioziteti i imponuar dhe e vendos muzikën në një hapësirë loje. Kjo hapësirë nuk e mohon peshën e traditës, por refuzon ta trajtojë atë si barrë. Pikërisht këtu fillon të formësohet një qasje që më vonë do të lexohet si estetikë e qëndrueshme.

Kështu e hedhin hapin e parë Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca. Themelojnë grup-projektin nën strehën “Shkodra Elektronike” më 2019 dhe në atë vit edhe i nisin performancat e para në disa ngjarje të rëndësishme italiane dhe shqiptare duke interpretuar rikrijime e përpunime të këngëve të repertorit shkodran. E para ka qenë me rastin e hapjes së Pavijonit të Kosovës dhe Shqipërisë në Bienalen e Venecias më 2019. Më pas, kjo nisje është thelluar në hapje të ekspozitës personale të artistit Adrian Paci në Tiranë.

Më 2020, kur kishte nisur pandemia COVID-19, kanë marrë pjesë në edicionin e katërt të “Zâ Fest”, duke kënduar këngë qytetare shkodrane të gërshetuara me tingujt elektronikë, në Kalanë e Rozafës në Shkodër.

Shkodra që hyn në muzikën e tyre nuk është qytet kartoline. Nuk është as vend i idealizuar, as hapësirë për rikthim sentimental. Shfaqet si peizazh akustik në fakt, i mbushur me zhurmë e me shtresa tingujsh që nuk kërkojnë të jenë të bukur apo të pastër.

“Në aspektin tingullor janë zhurmat e qytetit dhe zhurmat e mejhaneve, ndërsa në aspektin emocional, avujt e kazanit të rakisë na luhatin…”, thonë ata kur e përshkruajnë ndikimin e Shkodrës në frymëzimin e tyre, e cila nuk shfaqet si nostalgji.

Kjo zgjedhje e zhvendos fokusin nga melodia drejt ambientit. Imazhi i avujve të kazanit të rakisë e thellon këtë raport me qytetin. Është një metaforë që bart mjegull, luhatje dhe paqartësi, një gjendje që nuk fiksohet lehtë. Në këtë kuptim, Shkodra bëhet gjendje emocionale, jo vend, dhe muzika funksionon si reflektim i kësaj luhatjeje të vazhdueshme.

Gjuha që këndohet në periudha pezullimi

Në vitin 2020 fillojnë t’i publikojnë këngët e para. Kënga origjinale “Ku e gjeta vedin” ishte fituese e çmimit special në festivalin “Luleborë” e më tej kishin nxjerrë edhe përpunime të tjera një vit më pas, si “Synin si qershia” e “Turtulleshë”. Kjo e fundit bëhet edhe pjesë e albumit EP “Live @ Uzina”, publikuar më 2022, krahas rikrijimit të këngëve “Kur perëndon dielli”, “Pranverë e bukur” dhe “Sa e kandshme vjollcë ti je”. Në dhjetor të vitit 2022, kishin ardhur në Prishtinë e në verën e vitit 2023 edhe në edicionin e katërt të “Autostrada Biennale” në Prizren.

Pavarësisht ndryshimeve në repertor dhe në formë, një element mbetet i pandryshuar në gjithë këtë fazë të parë të projektit: raporti me gjuhën. Shqiptimi nuk kërkon të jetë i veçantë, por i njohur, i afërt e i përdorur.

“Knojmë si flasim”, thonë ata. Kjo fjali e shkurtër e përmbledh një qasje të tërë ndaj gjuhës. Nuk është performancë, nuk është akt i ndërtuar për skenë, as ushtrim vokal për të prodhuar emocion. Gjuha këndohet ashtu siç përdoret në përditshmëri, pa ngritje artificiale dhe pa kërkuar ngarkesë emocionale. Kjo e zhvendos theksin nga interpretimi drejt komunikimit.

Në këtë mënyrë, shqipja e tyre çlirohet nga roli i saj tradicional në këngë, ku shpesh bart një barrë emocionale të tepruar. Këndimi nuk e zbukuron fjalën, por e lë ashtu siç është, me gjithë ngurtësinë, thjeshtësinë dhe ritmin e saj të brendshëm.

Procesi krijues nuk nis nga një ide e qartë për balancë apo harmoni mes elementeve. Ai kalon përmes provës së vazhdueshme, ku materialet testohen pa garanci se do të mbijetojnë deri në fund.

“Provojmë dhe eksperimentojmë katërdhetë kangë dhe zgedhim 10 me i performu live, nga të cilat 5/6 përfundojnë në albume”, thonë ata.

Në këtë proces, elektronika dhe elementi tradicional nuk bashkohen si dy botë të ndara që duhet të pajtohen. Futen në një hapësirë të përbashkët, shumica e materialit mbetet jashtë dhe vetëm një pjesë e vogël arrin të funksionojë si performancë live apo si këngë albumi. Ky përjashtim masiv nuk është humbje, por në fakt mjet filtrues.

Më shumë sesa ideja, është procesi që luan rolin e mbajtjes nën kontroll të raportit mes traditës dhe elektronikës. Rezultati nuk është kompromis, por përzgjedhje e atyre formave që e përballojnë provën e kohës dhe të skenës.

Pezullimi nuk shfaqet në muzikën e tyre si zgjedhje stilistike, por si gjendje e përjetuar. Këngët nuk synojnë kulm, sepse as koha në të cilën lindin nuk ofron orientim të qartë. Pa një drejtim të përcaktuar, pa një vijë narrative që të çon diku, muzika ndjek të njëjtin ritëm të pasigurt që përshkon jetën e përditshme.

“Jetojmë në kohna pezullimi, ku ashtë e zorshme me kuptu ku shkon njerëzia, Evropa, Shqipnia, Shkodra, dugajtë e reja, familja… shumë thjesht… kangët tona reflektojnë këtë ndjesi”, thonë anëtarët e dyshes “Shkodra Elektronike”, duke e përshkruar muzikën që bëjnë.

Kjo ndjesi pezullimi shtrihet nga individualja te kolektivja. Evropa, Shqipëria, qyteti, familja, të gjitha përmenden si një zinxhir referencash që nuk japin përgjigje, por shtojnë paqartësinë.

Refuzimi i kulmeve emocionale bëhet kështu një akt besnikërie ndaj përvojës. Muzika nuk dramatizon atë që është tashmë e ngarkuar, por e mban në një tension të ulët dhe të vazhdueshëm.

“Fëmijë të lumtun” me “Zjerm” deri në “Eurovision”

Në nëntor të vitit 2024, kur u bë e njohur lista e pjesëmarrësve garues në edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës në RTSh, “Shkodra Elektronike” paraqitej në renditje me këngën “Zjerm”. Dallohej qartë nga formati i zakonshëm i garës. E ndërtuar mbi një estetikë të përmbajtur dhe një shqipe të zhveshur nga patetika, kënga kishte nxitur reagime të menjëhershme të publikut, duke u shndërruar shpejt në një nga momentet më të komentuara të festivalit. Fitorja në finalen e Festivalit e ka vulosur këtë pritje, duke i hapur rrugë përfaqësimit të Shqipërisë në skenën evropiane.

Në muajt që kanë pasuar, dyshja ka qenë pjesë e disa ngjarjeve që organizohen nga fanatikët e “Eurovisionit” në qytete të ndryshme të Evropës, ku kënga është dëgjuar jashtë kontekstit vendor, përpara se projekti të mbërrinte në Bazel të Zvicrës, ku u mbajt edicioni i 69-të i “Eurosongut”, në majin e vitit 2025. Kualifikimi në finale ka konfirmuar praninë përtej efektit të momentit, ndërsa rezultati përfundimtar, vendi i tetë, e ka shënuar këtë pjesëmarrje si një nga paraqitjet më të suksesshme të Shqipërisë në vitet e fundit.

Përballja me një skenë si “Eurovisioni” nuk ka ardhur si moment për t’u riformatuar. Nuk ka pasur përpjekje për ta përshtatur estetikën me kërkesat e televizionit, as për ta zmadhuar gjestin artistik për t’iu përgjigjur logjikës së spektaklit. Prania e tyre në këtë skenë mbetet vazhdim i asaj që kanë bërë gjithmonë, pa kalkulim dhe pa strategji adaptimi.

“Na thjesht kena pru estetikën tonë, pa e menu gjatë a i adaptohet apo jo televizionit”, shprehin komentin e tyre ndaj skenës evropiane.

Ky qëndrim e zhvendos “Eurovisionin” nga një qendër në një kontekst. Ai nuk shfaqet si kulm i rrugëtimit, por si hapësirë ku një estetikë ekzistuese vendoset përballë një formati të madh pa u negociuar. Në vend që muzika të shndërrohet për t’u bërë e lexueshme, ajo qëndron në formën e vet, duke pranuar rrezikun e mospërshtatjes.

Nuk kanë ndier aspak dilema e hezitime rreth mënyrës se si tingulli dhe shqipja e tyre do të priteshin në një skenë aq të madhe ndërkombëtare.

“Zero”, është përgjigjja e tyre.

Kjo përgjigje e vetme, e zhveshur nga çdo shpjegim, funksionon si qëndrim. Mungesa e hezitimit nuk vjen nga vetëbesimi spektakolar, por nga një raport i qartë me atë që bëhet. Kur muzika nuk ndërtohet për t’u pranuar, pritja e publikut nuk bëhet kriter.

Muzika e tyre funksionon si tekst që nuk e udhëzon lexuesin. Ajo nuk ofron çelësa interpretimi, as nuk kërkon konsensus. Refuzimi për ta shpjeguar veten nuk është mbyllje, por hapje ndaj një dëgjimi që nuk kërkon garanci kuptimi. Kjo e mban këngën të gjallë përtej momentit dhe jashtë nevojës për përkthim të menjëhershëm.

“Ne knojmë, nuk lexojmë… edhe pse mendojmë se jena libra t’hapun”, është përgjigjur dyshja.

Kjo përgjigje vendos një kufi të qartë mes këndimit dhe interpretimit racional. Muzika nuk prodhohet për t’u lexuar, as për t’u zbërthyer në kuptime të drejtpërdrejta. Ajo ekziston si veprim, si tingull, si prani.

“Eurovisioni” nuk shfaqet si pikë kthese krijuese, por si ngjarje që riorganizon rrethanat përreth projektit. Ndryshimi nuk prek thelbin e muzikës, por mënyrën se si ajo qarkullon. Kjo e mban rrëfimin larg romantizimit dhe e përfundon harkun e skenës së madhe me një kthim të ftohtë, por të ndershëm, në realitet.

“Ne shpresojmë të lajmë pas vullnetin e mirë… për sa i përket gjuhës dhe muzikës shqiptare, jena fëmijë t’lumtun t’surprizohena nga tradita”, mbyllin bisedën “Shkodra Elektronike”.

Mbyllja nuk vjen si deklaratë trashëgimie. Nuk ka pretendim për ndikim afatgjatë, as për pozicion historik. Ajo që mbetet artikulohet si vullnet i mirë, një gjurmë e lehtë, jo si shenjë e gdhendur.

Raporti me gjuhën dhe muzikën shqipe përshkruhet përmes habisë, jo përmes zotërimit. Të qenit “fëmijë të lumtun” e vendos projektin në një pozitë të përhershme mësimi, ku tradita nuk merret si kapital, por si burim i papritur.

Në këtë mënyrë, rrëfimi mbyllet aty ku ka nisur, te qejfi, te loja, te mospërfundimi. Tradita nuk përmbyllet, nuk arkivohet dhe nuk shpjegohet. Ajo vazhdon të befasojë. Dhe muzika, po ashtu, mbetet në lëvizje, pa premtuar më shumë sesa një dëgjim të ndershëm dhe një hapje ndaj asaj që ende nuk dihet.

Menjëherë pas kthimit nga Bazeli, “Shkodra Elektronike” ka publikuar albumin EP “Shndrit!” me pesë këngë. Përveç këngës “Zjerm” dhe versionit të ripërpunuar të asaj kënge nga producenti dhe DJ italian Cristiano Crisci, i njohur si “Clap! Clap!”, albumi përfshin edhe këngët “E lirë”, “Askund”, si dhe “Deri n’fund”. Gjatë asaj kohe, ka pasur edhe performanca në Kosovë. Në qershor ka hapur edicionin e 13-të të festivalit “FemArt” me një koncert në Prishtinë, ndërkaq në gusht ka performuar në kuadër të “DokuFestit”, në Prizren. Pas disa koncerteve të tjera në Shqipëri, dyshja ka publikuar në dhjetor këngën “Fosforon”, koncepti i së cilës lidhet me idenë e dritës që shfaqet në errësirë.

Në një kohë kur gjithçka kërkon formë të qartë dhe mesazh të lexueshëm, dyshja zgjedh të mbetet në gjendje habie. Të mos dijë gjithçka. Të mos e mbyllë traditën në definicion. Dhe ndoshta pikërisht për këtë, ajo tingëllon e vërtetë. Jo sepse thotë shumë, por sepse nuk shtiret se di më tepër sesa duhet. /koha

Të ngjashme