Kushtrim Shkodra, i cili ka qenë këshilltar i ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se kryeministri Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia duhet të ndalin presionin ndaj drejtuesve të institucioneve shëndetësore e stafit mjekësor.
Shkodra ka shkruar se kryeministri Albin Kurti me vendimet e marra kohët e fundit është duke realizuar grushtshtet.
Shkodra, në një postim në rrjetin social Facebook, ka theksuar se vendi nuk e duron tiraninë, e as diktaturën dhe se sipas tij, Kruti do të marrë përgjigjen e merituar – shkarkimin.
Postimi i plotë i Shkodrës:
Kryeministri në largim, Albin Kurti, përmes veprimeve të tij anti-kushtetuese ditëve të fundit, është duke realizuar grushtshtet. Në kohë krize, më të madhen që kemi pasur që nga lufta, kryeministri i vendit tonë i ka vënë synim vetes që të rrënojë shtetin.
Por, Kryeministri në largim duhet të dijë diçka. Ky vend nuk e duron tiraninë. As diktaturën. E aq më pa kata që nuk e njohin dhe respektojnë Republikën e Kosovës. Rrjedhimisht, edhe do të marrë përgjigjen e merituar. Shkarkimin e tij.
Albin Kurti dhe ministri i tij i shëndetësisë, Arben Vitia, janë fajtorët kryesor që lejuan përhapjen e virusit Corona në Kosovë. Ata dolën kundër gjendjes së jashtëzakonshme dhe lejuan eskalimin e situatës. Më shumë kanë mbajtur konferenca për medie se sa testime. Edhe testimet i kanë bërë për vete dhe Vjosën.
Albin Kurti dhe Arben Vitia duhet të ndalin presionin ndaj drejtuesve të institucioneve shëndetësore dhe stafit mjekësor. Duhet të ndalin manipulimin e funksioneve të tyre dhe fshehjen e të dhënave zyrtare. Ky është një tjetër krim që po bohet dhe i ftoj publikisht mediet që të merren me këtë rast. Mos i kalkuloni me jetën e njerëzve të prekur nga virusi dhe t’i publikoni apo të mos i publikoni shifrat sipas interesit tuaj.
Po ashtu, deri në largimin tuaj, ndaleni kërcënimin ndaj mjekëve. Drejtuesit Institucioneve Shëndetësore, të gjithë pa dallime duhet të jenë të lirë në punën dhe vendimet e tyre. Ata duhet të dinë, gjithashtu, që kjo është një Qeveri me një kryeministër dhe një ministër në largim dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të bien pre e presionit.