Shkodran Mustafi e ka vlerësuar Mesut Ozilin si lojtarin më vetëmohues me të cilin e ka ndarë zhveshtoren në karrierën e tij, në një mesazh lamtumirës për turko-gjermanin i cili u largua nga Arsenali për t’iu bashkuar Fenerbahces këtë afat kalimtar.
Ozil u përshëndet me bashkëlojtarët e vet në qendrën stërvitore të Arsenalit të dielën, para nisjes drejt Turqisë, duke i dhënë fund karrierës shtatëvjeçare e gjysmë në Londrën veriore, raporton Gazeta Express.
Arsenali i dha atij leje për të udhëtuar drejt Stambollit, ku ai mbërriti të dielën pasdite dhe tani pritet t’iu nënshtrohet testeve mjekësore para se ta finalizojë marrëveshjen me Fenerbahcen, klubin përkrahës i të cilit ka qenë që prej fëmijërisë.
Mustafi, i cili luajti përkrah mesfushorit 32-vjeçar në Emirates Stadium për katër vjet, ndien se klubi dhe bashkëlojtarët dështuan t’i ndihmonin Ozilit siç u kishte ndihmuar ai atyre me asistet e shumta.
Ozili i prishi marrëdhëniet me klubin kryekëput për shkak të qëndrimeve të tij në lidhje me myslimanët uygurë në Kinë, të cilët i kishte mbrojtur publikisht duke e kritikuar dhe e akuzuar qeverinë kineze për dhunë ndaj tyre.
Kjo i kishte përkeqësuar gjërat për të, pasi Kina dhe sponsorët i kishin bërë Arsenalit presion ta shukatnin Ozilin në rrjetet sociale në lidhje me këto çështje.
“Vëlla, ju jeni lojtari më vetëmohues brenda dhe jashtë fushës me të cilin e kam ndarë zhveshtoren ndonjëherë. Ju gjithmonë do të mbaheni në mend si mbreti i asistimeve. Fatkeqësisht, ne si ekip nuk kemi qenë në gjendje të të ndihmojnë ty kur ke pasur nevojë më së shumti. Gjithë të mirat”, shkroi Mustafi në Twitter.
Tani, gjithçka që mbetet për t’u finalizuar është çështja e dokumenteve, pasi Arsenali dhe Ozili kanë arritur ujdi për ndërprerjen e parakohshme të marrëveshjes në vlerë prej 350 mijë funteve në javë.
Nuk do të ketë njoftim formal për largimin e fituesit të Kupës së botës nga Arsenali derisa procedurat e zakonshme të kompletohen.
Por Ozili ka folur për televizionin turk NTV para kalimit në Fener.
“Jam shumë i lumtur dhe ngazëllyer. Jam tifoz i Fenerbahces. Si tifoz i Fenerbahcen, zoti e ka bërë të mundur që unë ta vesh këtë fanellë. Do ta jap më të mirën nga vetja”, ka thënë Ozil.
Ozili iu bashkua Arsenalit nga Real Madridi në vitin 2013 për një shumë rekorde për klubin atë botë, 45 milionë euro.
Ai i ka bërë 184 paraqitje për Arsenalin në Premierligë, duke i shënuar 33 gola dhe duke i dhënë 54 asiste.