Shkolla “Model” shënon Ditën e Mësuesit

Prishtinë | 07 Mar 2017 | 12:32 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dita e Mësuesit që shënohet me rastin e hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë, po festohet edhe në Kosovë.

Shkolla “Model” në Prishtinë ka zgjedhur që nxënësve të saj t’ua prezantojë një dokumentar të shkurtër në lidhje me shkollën e parë shqipe.

Nxënësit e kësaj shkolle në këtë ditë të shënuar patën mundësi të njihen edhe në mënyrë vizuale me kontributin, rëndësinë dhe idealin e shkollës “Mësonjëtorja e Korçës” e cila është shkolla e parë e gjuhës shqipe.

Ajo u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në shtëpinë e ofruar për mësimdhënie nga Diamanti Terpo.

Drejtori i këtij institucioni të edukimit në Prishtinë, Liridon Maliqi, ka treguar që filloristët e shkollës “Model”, kanë edhe sistemin online të mësimit, dhe se kjo shkollë është në planprogram të njëjtë me shkollën finlandeze “Marti Ahti Sari”, në Finland.

Ai tha se për çdo vjet kjo shkollë shënon në mënyra të ndryshme Ditën e Mësuesit, për të cilën tha se është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar.

“Dita e shenjtë është 7 Marsi, për të gjithë këta mësimdhënës të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm prej shkollës së parë shqipe me mësuesin e parë, Pandeli Sotiri e deri në gjeneratat të cilat kanë kontribuar edhe në kohërat e luftës edhe në kohëra të vështira e deri më sot”, ka thënë Maliqi.

Këtë shkollë e vizitoi edhe ministri Arsim Bajrami, i cili tha se Dita e Mësuesit, është një ditë e veçantë, në të cilën e kujtojmë rolin e rëndësishëm të mësuesit në edukimin e shoqërisë.

“Në këtë ditë, kujtojmë edhe sakrificën dhe përkushtimin e mësuesve në rrugëtimin e gjatë për përhapjen e dijes, fuqizimin e familjes përmes arsimimit dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare”, iu drejtua nxënësve të klasës së tretë Bajrami.

Shkolla e parë shqipe u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë, drejtor dhe mësues i të cilës ishte Pandeli Sotiri.

Të ngjashme