Shkon në 47 numri i të vdekurve nga tajfuni në Filipine

Prishtinë | 30 Dhj 2019 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet e Filipineve njoftuan të hënën në mëngjes se numri i viktimave nga tajfuni ka shkuar në 47, ndërsa nëntë persona të tjerë janë shpallur të zhdukur.

Tajfuni “Phanfone”, i njohur nga banorët lokalë edhe si “Ursula”, arriti në brigjet lindore të provincës Samar më 24 dhjetor, duke sjellë reshje të mëdha të shiut dhe stuhi me erëra që e kanë arritur shpejtësinë prej 150 kilometrash në orë.

Tajfuni më vonë u zhvendos drejt ishujve të rajonit Visayas, duke shkaktuar pengesa në transport pranë festave të komunitetit katolik. Në pamjet e publikuara në internet shihen shtëpi të dëmtuara dhe drunj që i kanë bllokuar rrugët.

Nga ky tajfun janë prekur gati dy milionë njerëz, janë dëmtuar më shumë se 378 mijë shtëpi dhe 143 persona janë lënduar. Këto shifra i publikoi Këshilli Kombëtar për Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë.

Sipas këtij këshilli, tajfuni ka shkaktuar mbi 21 milionë dollarë dëme në infrastrukturë dhe bujqësi. Në mesin e rajoneve të dëmtuara janë edhe disa rajone të famshme turistike.

Për shkak të motit të lig, autoritetet e aviacionit i kanë anuluar rreth 120 fluturime, shkruan “CNN”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme