Numri i njerëzve që janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre në mbarë botën e ka tejkaluar shifrën 70 milionë për herë të parë që nga koha kur ka nisur regjistrimi dhe ruajtja e statistikave për këtë çështje. Lajmin e bëri të ditur Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara.
Rreth 70.8 milionë njerëz ose një në 108 persona në mbarë botën janë zhvendosur nga vendbanimet e tyre gjatë vitit 2018. Këtu përfshihen njerëzit që u detyruan të largohen gjatë vitit të kaluar dhe njerëzit që nuk kanë pasur mundësi të kthehen për vite të tëra.
Sipas autorëve të hulumtimit për numrin e refugjatëve në nivel botëror, kjo shifër mund të jetë më e madhe në realitet, sepse ende mbetet e paqartë shtrirja e ndikimit të krizës në Venezuelë në jetën e njerëzve të këtij vendi.
“Vit pas viti, komuniteti ndërkombëtar po tregohet i paaftë për të sjellë paqe. I kemi disa konflikte rajonale, disa prej të cilave i kanë tërhequr edhe aktorët ndërkombëtarë. Nëse shikojmë përreth botës, është vështirë të shohësh ndonjë zgjidhje për këto konflikte”, tha Matthew Saltmarsh nga agjencia për refugjatët e Kombeve të Bashkuara, “UNHCR”.
Në shifrën prej 70.8 milionë njerëzve përfshihen 25.9 milionë refugjatë, 41.3 milionë persona të zhvendosur brenda territorit të shteteve të tyre dhe 3.5 milionë persona që kanë bërë kërkesë për azil, shkruan “The Guardian”.