Shkopi magjik i punësimeve të Qeverisë Kurti

Prishtinë | 06 Jan 2025 | 23:00 | Nga Shenoll Muharremi

Kemi dëgjuar qeverinë dhe kryeministrin duke treguar se kanë punësuar dhjetëra mijëra persona gjatë mandatit të tyre. Kemi lexuar e dëgjuar se punësimi është rritur me 70,000 persona dhe se papunësia është ulur nga 25% në 10%. Sikur me shkop magjik!

Tash regjistrimi i popullsisë po na ndihmon të kuptojmë më mirë se çfarë ka ndodhur. Nga Kosova janë larguar rreth 384,508 persona nga viti 2011 deri më 2024. Mesatarisht, janë larguar rreth 27,465 persona në vit! Këta persona kanë migruar kryesisht në Gjermani, por edhe në vende të tjera ku ka kërkesë për punë.

Shumica e këtyre personave duket se kanë qenë të punësuar. Kjo është një logjikë e thjeshtë, pasi nuk mund të gjesh punë pa pasur eksperiencë. Pagat e larta në Gjermani, të kombinuara me kërkesat e mëdha në tregun e punës atje dhe me koston e lartë të jetesës në Kosovë krahasuar me të ardhurat, kanë bërë që njerëzit që kanë pasur punë të largohen dhe të gjejnë punë me të ardhura më të larta.

Rrjedhimisht, kur punëtorët janë larguar nga tregu i punës, ata janë zëvendësuar me punëtorë të tjerë që ndoshta më parë nuk kanë qenë të punësuar. Qeveria Kurti është fokusuar tej mase në formalizimin e punësimit dhe ekonomisë. Gjithashtu, janë krijuar incentiva që të regjistrohen punëtorët e rinj. Kjo ka krijuar përshtypjen se punësimi po rritet, por në fakt vetëm një rotacion po ndodh dhe po formalizohet.

Kjo e shpjegon pse struktura brenda tregut të punës nuk ka ndryshuar shumë. Ende mbeten rreth 60% të personave në moshë pune jashtë tregut të punës, të cilët qeveria nuk i njeh si të papunë. Ende kemi një shkallë të ulët punësimi nën 40%. Pra, shumica e indikatorëve kryesorë në tregun e punës nuk kanë ndryshuar, por papunësia është “ulur” dramatikisht dhe janë “krijuar” 70,000 vende të “reja” pune.

Me siguri që emigrimi i theksuar e ka zbuluar mirë se çfarë ka ndodhur. Fjala duket se është për një rotacion dhe zëvendësim të punëtorëve të rinj me ata që po largohen. Kjo shihet edhe në treg, ku një numër i punëtorëve më të moshuar janë aktivizuar për të mbushur zbrazëtirat e atyre të moshave më të reja që janë larguar. Këtu gjithashtu kanë përfituar një numër i grave, të cilat janë inkuadruar në ato profesione ku janë të afta të zëvendësojnë fuqinë punëtore që ka emigruar.

Kështu, nëse ky trend vazhdon, së paku rreth 20,000 persona në vit do të kenë mundësi të punësohen për shkak të rotacionit që po ndodh në tregun e punës dhe që ndërlidhet me emigrimin e theksuar, i cili në total mund të arrijë gati 400,000 persona nga viti 2011. Gjithashtu deri në vitin 2030 nga Kosova mund të largohen edhe rreth 150,000 persona tjerë.

Të ngjashme