Të dhënat rreth ndotjes së ajrit në kryeqytet sërish janë alarmante. Shkupi mbrëmë sërish ka qenë vendi më i ndotur në botë. Indeksi i ndotjes ka qenë 226, që konsiderohet si shumë i lartë dhe i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve.
Të dhënat të publikuara nga “Air Visual” tregojnë se edhe mbrëmë, Shkupi ka qenë në vendin e parë sa i përket ndotjes së ajrit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kjo nuk është hera e parë që Shkupi të jetë në krye të listës për ndotjen e ajrit. Të dhëna të ngjashme janë regjistruar edhe më 19 janar, kur indeksi arriti 430, ndërsa para ishin vetëm qytete nga India dhe Pakistani.
Ndryshe, të shtunën dhjetëra qytetarë protestuan para Kuvendit, duke kërkuar që organet të marrin masa urgjente për zgjidhjen e problemit me ndotjen e ajrit.