Shmangia e pashpresë nga finalja e dialogut

Prishtinë | 24 Pri 2021 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, janë duke i bashkërenduar qëndrimet për procesin e dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Donika Emini dhe Rrahman Paçarizi.

Sipas tyre, në favor të këtij bashkërendimi janë: letra e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, por edhe vizita e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas në Prishtinë dhe Beograd.

Në letrën që presidenti amerikan Biden i ka dërguar presidentes së Kosovës, Osmani, më 20 prill, është thënë që SHBA-ja mbështet arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila “do të përqendrohej në njohjen reciproke”, por që “për arritjen e këtij qëllimi, kërkohet fleksibilitet dhe kompromise të vështira”.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i cili më 22 prill ka vizituar Prishtinën, ndërkaq një ditë më vonë edhe Beogradin, ka theksuar që Gjermania ofron mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi dhe se një nga elementet e marrëveshjes do të jetë njohja e shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, ai ka kërkuar që “të ketë gatishmëri nga të dyja palët që të gjejnë rrugë për kompromise”.

“Është e rëndësishme që ky dialog të mos mbahet vetëm për hir të dialogut, duhet të ketë rezultate. Gjermania është e gatshme të ndihmojë në këtë aspekt”, ka deklaruar Mass.

Emini: SHBA-ja dhe Gjermania me qasje të ndryshme për kompromisin

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e platformës CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrë parasysh ekzistimin e një bashkërendim në nivelin e partnerëve strategjikë të Kosovës, në raport me dialogun, si dhe legjitimitetin që Qeveria e Kosovës e ka brenda vendit, kjo e fundit e ka mundësinë që t’i përdorë për të mirë këto rrethana. Por, sipas saj, Qeveria e Kosovës, duke pretenduar që dialogu nuk është prioritet, ka ndërtuar një narracion kundër këtij procesi dhe kjo mund t’i sjellë probleme asaj. Pikërisht për këtë arsye, ulja në tavolinën e bisedimeve në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë kompromisi i parë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe rishikimi i marrëveshjeve të deritashme, por edhe një marrëveshje përfundimtare.

 “Është Marrëveshja e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe), e cila do të jetë problemi më i madh. Mendoj që asaj i referohet pikërisht (presidenti i SHBA-së, Joe) Bideni. Por, aty janë edhe kompromiset që i ka përmendur edhe Gjermania. Të dy vendet kanë qasje jokonvencionale për Kosovën, sepse njëra (SHBA-ja) e mbështet Asociacionin, ndërkaq tjetra, Gjermania ka ardhur edhe me modele të tjera, siç janë: autonomia (për veriun e Kosovës), Tiroli Jugor, të dy Gjermanitë. Do të thotë kanë qarkulluar modele të ndryshme të modalitetit se si do të duket marrëveshja përfundimtare në aspektin politik”, theksoi Emini.

Ajo shtoi se në rast se qeveria e kryeministrit Kurti, nuk i pëlqen opsionet e propozuara nga të dyja vendeve partnere, atëherë duhet të ketë një kundër-propozim të arsyeshëm dhe që mund të funksionojë dhe jo “vijat e kuqe, të cilat i ka vendosur deri më tash”, e që sipas saj, kanë qenë false.

Paçarizi: Asociacioni, zgjidhja e keqe e pranueshme

Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që zhvillimet lidhur me dialogun paralajmërojnë mundësinë që ky proces po hyn në fazën përfundimtare, ku kërkohet një zgjidhje dhe ku kërkohet kompromisi. Sipas tij, vështirë se do të ketë një zgjidhje, e cila do të përfundonte me njohje të ndërsjellë, pa kompromise.

Siç thotë Paçarizi, kërkesa për kompromis ndaj Kosovës, është e orientuar kah funksionalizimi i Marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, sipas tij, në tavolinën e bisedimeve, Serbia pritet të shtrojë kërkesa edhe për të drejta shtesë për serbët në Kosovë, për status të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe dhe kërkesa tjera, të cilat e bëjnë shumë më të vështirë vendimin e Kosovës dhe të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Ky i fundit, sipas tij, tash e më shumë se dhjetë vjet është i angazhuar pikërisht kundër këtyre çështjeve që mund të kërkohen si kompromis nga Kosovë, por që në fakt, nga partnerët perëndimorë shihen si mundësi për pengimin e idesë dhe tendencave për ndarjen e Kosovës.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav

Siç thotë Paçarizi, Kosova do të detyrohet të bëjë kompromis, por kompromisi i vetëm që mund të duket i pranueshëm është formimi i Asociacionit, sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, por me vërejtjet që i ka bërë Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me të.

“Nuk është zgjidhja më e mirë. Është një zgjidhje shumë e keqe, por megjithatë, është një zgjidhje, e cila ndoshta mund të pranohet. Ndërkohë, nëse kalohet në kërkesa të tjera, siç është ajo për status të veçantë të Kishës Ortodokse Serbe, si dhe çështje të tjera që po diskutohen apo një status tjetër të një entiteti serb brenda Kosovës, këto mendoj që do të ishin aq të dëmshme, sa që nuk do t’ia vlente barra qiranë dhe nuk do të mund të arsyetoheshin as me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe me konsolidimin e plotë të shtetësisë së Kosovës”, theksoi Paçarizi.

Ai shtoi se kompromisi eventual ndaj kërkesave të Serbisë, përveç Asociacionit, do ta bënin Kosovën shtet të brishtë, të lëndueshëm dhe të cenueshëm nga çfarëdo veprimi dhe nga vullneti i Serbisë.

Palët “blejnë kohë” për pozicion negocimi

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, më 21 prill, kanë deklaruar se kjo qeveri do të punojë për evitimin e kompromiseve që mund të paraqiten në procesin e dialogut me Serbinë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve. Një ditë më pas, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nevojë për rinisje dhe jo vazhdimësi.

Në anën tjetër, presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ashtu pas takimit me shefin e diplomacisë gjermane, më 23 prill, në Beograd, ka deklaruar që Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut me Prishtinën dhe dëshiron që të arrijë një zgjidhje kompromisi.

Ai ka kërkuar që zbatohen marrëveshjet e deritashme të Brukselit, e në veçanti ajo për formimin e Asociacionit.

Vuçiq ka theksuar se “Serbia nuk po kërkon arsye për të mos arritur zgjidhje”.

Por, njohësit e zhvillimeve politike, Emini dhe Paçarizi, vlerësojnë që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, aktualisht po bëjnë përpjekje për të shmangur ose zvarritur shkuarjen në dialog.

Donika Emini vlerëson se Qeveria e Kosovës, pavarësisht deklaratës formale se është e gatshme për dialog, nuk ka dhënë sinjale serioze pozitive për diçka të tillë.

“Deri më tash nuk kam parë diçka të tillë. Kemi një person të emëruar, në njëfarë mënyre, siç është zëvendëskryeministri i parë (Besnik Bislimi), që po merret me dialogun. Mirëpo, duke pretenduar që nuk kanë asnjë dokument nga dialogu i deritashëm. Po duken sikur po duan të blejnë kohë, po duken sikur nuk janë të gatshëm dhe po duken sikur tashmë po ja vendosin Kosovës një pozicion negocimi, që është shumë aspekt negativ për një vend si Kosova, e cila sfidohet nga një vend si Serbia, e cila, sidomos kohët e fundit, ka tejkaluar edhe fuqitë gjeopolitike që i ka pasur deri më tani”, theksoi Emini.

Provokim i zgjedhjeve për shmangie nga dialogu?

Edhe profesor Paçarizi vlerëson se dialogu tashmë gjendet në fazën ku kërkohen kompromiset nga palët. Por, sipas tij, ato nuk duhen të gatshme për ato kompromise dhe po bëjnë përpjekjet e fundit për ta zvarritur procesin dhe për të fituar kohë, me shpresën për klima më të favorshme për to. Sa i përket palës së Kosovës, sipas tij, kryeministri Kurti ka bërë veprime inteligjente për t’iu qasur dialogut “për të biseduar për çështje të teknikalitetit” në mënyrë që të fitojë kohë. Por, Paçarizi nuk e përjashton mundësinë që zhvillimet në Kosovë, të marrin kthesë tjetër.

“Në momentin kur dialogu hyn në fazën ku askush nuk do të mund t’u shmangej diskutimeve për kompromise – nuk po them që do të pranohen kompromiset – por, në momentin që arrihet në atë fazë, atëherë mund të provokohen zgjedhjet, si një strategji dalëse. Kjo, pasi që unë nuk po shoh një strategji tjetër të ndërtuar nga zoti Kurti, në rast se nuk funksionon strategjia e tij, që përmes diskutimeve për teknikalitete, ta shtyjë momentin e pashmangshëm kur duhet të ketë një marrëveshje ose duhet të hiqet dorë nga marrëveshja”, theksoi Paçarizi.

Burime të Bashkimit Evropian në Bruksel kanë konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet që javën e ardhshme, nga 28 deri më 30 prill të realizojë vizitën e tij të parë në Bruksel, që prej se mori drejtimin e ekzekutivit. Këtë vizitë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Të njëjtën javë, por jo edhe në të njëjtën kohë, në Bruksel pritet të qëndrojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Që të dy do të ketë takime me zyrtarët më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, BE-ja do të dëshironte që takimi i parë Kurti-Vuçiq të realizohet sa më shpejt, por realisht një takim i tillë pritet të ndodhë diku në muajin maj.

Të ngjashme