Andi Bajgora veç sa i ka përfunduar xhirimet e një filmi të shkurtër. E ka rolin e protagonistit në projektin e regjisores holandeze Sarah Veltmeyer.
Shoku i tij, Lum Veseli, po e pret janarin për të dalë në shesh xhirimi. Do t’i bashkohet kastës së filmit të gjatë “Njeriu i dosjeve” nën regji të Ismet Sijarinës. Dy 13-vjeçarët janë nxënës të klasës së nëntë, shkruan Koha Ditore.
Në një mbrëmje të ftohtë dhjetori, ata përshkojnë sheshin “Nëna Terezë”. Dritat shumëngjyrëshe e dekorimet paralajmërojnë festën e ndërrimit të moteve.
Shumëçka ka ndryshuar në jetën e dy të rinjve në dymbëdhjetë muajt që po ua kthejnë shpinën.
Para janarit të vitit 2016, kapërcimi nëpër sheshin e kryeqendrës ishe gjë e zakonshme.
Ua merrte pesë minuta kohë. Më vonë, nuk do t’ia dilnin në krye pa të paktën 40 minuta. Kalimtarët i ndalonin në rrugë, për t’u thënë “na keni gëzuar, na keni bërë krenarë”.
U desh të kalojë një vit që ata ta kuptojnë peshën e ngjarjes që i futi në histori.