Pajisjet për nënshkrim elektronik e kanë bërë më të lehtë procesin e vaksinimit për qytetarë, kjo falë donacionit prej 90 pajisjeve digjitale për nënshkrim të dhuruar nga Shoqata e Bankave për të gjitha qendrat e vaksinimit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Qytetarët po e shohin të domosdoshëm këtë pajisje, e cila po e përshpejton procesin e vaksinimit.
Naxhie Nuhiu thotë se e ka të qartë se ku do ta vendos nënshkrimin dhe se kjo pajisje po e shpejton procesin.
“Shumë ma lehtë është tash me nënshkrime elektronike. Normal ajo është e kuptueshme ku ki me nënshkrua, edhe çka ki me nënshkrua. Unë për herë të parë po vij këtu edhe e marr vaksinën edhe shumë shpejt dhe lehtë po shkon”, tha Nuhiu.
Përderisa Nustret Bllacaku nënshkrimin elektronik po e sheh të nevojshëm edhe për stafin shëndetësor.
“Është ma e lehtë për neve, por edhe për stafin këtu. Ngarkesa është më e madhe për termin në telefon për me marr vaksinën. Ka qenë e kuptueshme edhe vendosja e nënshkrimit elektroni dhe e ka bërë më të lehtë punën e vaksinimit”.
Drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija tha se çdo ndihmë për ministrinë e Shëndetësisë dhe personelin mjekësor është e rëndësishme për të luftuar pandeminë.
Madje, ai tha se donacioni me 90 pajisje digjitale i dhuruar për MSh-në e rrit sigurinë e të dhënave personale për secilin qytetar mirëpo edhe ndihmon në shpejtësinë e aplikimit të procesit të vaksinimit.
Ai shpreson që në të ardhmen nënshkrimi elektronik të bëhet edhe nga distanca, mirëpo për shkak të mungesës së ligjit për nënshkrimin digjital tani funksionon vetëm në formë fizike.
“Çdo ndihmë për ministrinë e Shëndetësisë dhe personelin mjekësor është e rëndësishme që ta bëjmë luftën kundër Covid-19. Ne si Shoqatë e Bankave me ndihmën e bankave komerciale të Kosovës kemi ndarë një donacion me 90 pajisje digjitale, i cili është dhënë për ministrinë e Shëndetësisë, konkretisht për qendrat e vaksinimi gjithandej Kosovës në mënyrë që në qendrat e vaksinimit të aplikohet nënshkrimi elektronik. Për tu aplikuar nënshkrimi elektronik është dashur që të bëjmë një donacion prej 90 pajisjeve digjitale dhe tani më të gjitha këto pajisje janë të instaluara në të gjitha qendrat e vaksinimit në tërë Kosovën dhe qytetarët tani janë duke i përdorur nënshkrimet elektronike në procesin e vaksinimit. Kjo është shumë e rëndësishme sepse edhe e rrit sigurinë e të dhënave personale për secilin qytetar, mirëpo edhe ndihmon në shpejtësinë e aplikimit të procesit të vaksinimit”.
“Ky proces ka shkuar me letër fizike dhe kjo ka krijuar një tollovi në qendrat e vaksinimit dhe me kërkesë të ministrisë së Shëndetësisë ne iu kemi përgjigjur pozitivisht, sepse edhe ata kanë vlerësuar se ndihmon shumë qytetarët sepse nënshkrimi është digjital pa letër dhe nuk ka arkiva fizike. Nëse kemi parasysh se në çdo qendër të vaksinimit vaksinohet mbi 1 000 persona në ditë, do të ishte shumë e vështirë dhe një rrezik për të dhënat personale të qytetarëve dhe çështja e arkivimit vetëm do të krijonte shpenzime shtesë për ministrinë, prandaj procesi i digjitalizimit është bërë mjaft i rëndësishëm jo vetëm për bizneset, por edhe për institucionet publike. Edhe në shërbimet bankare po tentojmë të aplikojmë nënshkrimin elektronik për shkak se për një qytetar është shumë më lehtë të bëjë një nënshkrim elektronik sesa të merret me letra fizike. Në të ardhmen po shpresojmë që nënshkrimi elektronik të bëhet edhe nga distanca sepse për momentin mund të bëhet vetëm në formë fizike për shkak të mungesës së ligjit për nënshkrimin digjital. Në momentin që aprovohet në Kuvend nënshkrimi elektronik do të bëhet edhe nga distanca”, shtoi Balija.
Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti tha se këto pajisje e kanë thjeshtësuar procesin e vaksinimit sepse kursejnë shpenzimin e letrave të panevojshme dhe në anën tjetër e rrisin edhe sigurinë e të dhënave të qytetarëve.
Sipas tij, një prej elementeve shumë të rëndësishme në procesin e nënshkrimit elektronik është që të dhënat e qytetarëve me rastin e plotësimit të dokumentacionit për marrje të vaksinës të jenë të sigurta dhe të menaxhohen në pajtim me ligjet përkatëse.
“Në kuadër të mbështetjes së programit të vaksinimit kundër Covid-19 në Kosovë, Shoqata e Bankave të Kosovës i ka dhuruar ministrisë së Shëndetësisë mbi 90 pajisje digjitale të cilat shërbejnë për nënshkrim elektronik të atyre të cilët vaksinohen. Këto pajisje e kanë thjeshtësuar procesin e vaksinimit, sepse kursejnë shpenzimin e letrave të panevojshme, dhe në anën tjetër e rrisin edhe sigurinë e të dhënave të qytetarëve të cilët me rastin e marrjes së vaksinës dhe normalisht që plotësojnë disa dokumentacione të cilat mundësojnë edhe gjenerimin e kartelës së vaksinimit”.
“Realisht procesi i vaksinimit ka mund të zhvillohet edhe pa pajisje të tilla, mirëpo me sigurimin e tyre përmes këtij donacioni zinxhiri i hallkave të regjistrimit të pacientëve deri të nënshkrimi elektronik është thjeshtuar, dhe në këtë pikëpamje është shkurtuar edhe koha dhe është rritur edhe siguria e të dhënave të qytetarëve të cilët aplikojnë për marrje të vaksinës. Një prej elementeve shumë të rëndësishme në procesin e nënshkrimit elektronik është që të dhënat që qytetarët japin me rastin e plotësimit të dokumentacionit për marrje të vaksinës të jenë të sigurta dhe të menaxhohen në pajtim me ligjet përkatëse”, tha Hoti.