Shoqata e Malazezëve të Kosovës përmes një telegrami i shpreh ngushëllime familjes Demaçi, me rastin e vdekjes së Adem Demaçit.
“Ngushëllimet më të thella, me ndjenjën e dhimbjes dhe hidhërimit të madh, për shkak të humbjes së mikut të dashur, Mandelës së Kosovës, të cilin e kemi vlerësuar e respektuar pa masë. Baca Adem ka qenë në radhë të parë Njeri i Madh, luftëtar për të drejtën, nderin dhe lirinë e çdo njeriu. Si i tillë do të mbetet përgjithmonë dritë dhe udhërrëfim i të gjithëve që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe për jetë të dinjitetshme të tij, si individë dhe si popull në tërësi. Si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ka nënshkruar me Shoqatën e Malazezëve të Kosovës Memorandumin për Bashkëpunim dhe Veprim të Përbashkët, duke na dhënë, në këtë mënyrë, ndër të parët, përkrahje publike. Në vitin 2011, pas hapjes solemne, ka hyrë i pari në Shtëpinë Malazeze në qendër të Prishtinës dhe si simbol i lirisë na ka përkrahur sërish. Përkrahjen e Bacës Adem e kemi pasur gjithnjë deri në frymën e tij të fundit, s’dua të them deri në vdekje, sepse Njerëzit e Mëdhenj nuk vdesin. “Lum ai që jeton gjithmonë, ai ka pasur edhe pse të lindë”, janë fjalët e Njegoshit të Madh, që i shkojnë shumë për shtat Bacës tonë Adem. Lavdi e përjetshme dhe falënderim, mik i dashur!”, thuhet në ngushëllimin e tyre.