Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, gjegjësisht, Bordi Drejtues, ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, me ç’rast ka shqyrtuar edhe rastin e kërcënimit ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Blerim Igrishta.
Andaj, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, lëshon këtë reagim:
“Prokurorët e Shtetit të Kosovës vlerësojnë se trendi i presioneve dhe sulmeve ndaj punës së tyre, e sidomos rasti i fundit i sulmit ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Blerim Igrishta, është tërësisht i papranueshëm, i cili ka për qëllim frikësimin dhe pengimin e punës së prokurorëve, që janë duke kryer një punë jashtëzakonisht të suksesshme në luftimin e krimit të të gjitha formave. Sulmi ndaj prokurorëve ka për qëllim krijimin e presioneve dhe pasigurisë në luftën kundër dukurive negative, sepse kohëve të fundit është duke u bërë një punë shumë efikase në zgjidhjen e rasteve në drejtim të luftimit të krimit.
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës bën me dije opinionit publik se asnjë presion, por as ky i fundit, nuk do ta ndalë punën e prokurorëve për ta luftuar krimin dhe grupet që e mbështesin atë, përkundrazi, rasti i fundit do të na mobilizojë edhe më shumë në misionin tonë.”