Shoqatat e dala nga lufta nuk po pajtohen që Sheshi “Adem Jashari”, në kryeqytet, të emërohet me këtë emër nëse në të nuk vendoset shtatorja e Komandantit Adem Jashari dhe të largohet monumenti i vjetër i “Vëllazërim-Bashkimit”.
Ndërsa Komuna e Prishtinës, siç transmeton rtk, thotë se për emrin e sheshit dhe vendosjen e shtatores do të vendoset në Kuvendin e Komunës.
Ditë më parë kanë nisur punimet për rregullimin e Sheshit “Adem Jashari”, në Prishtinë, i cili gjendet në mes të ndërtesës së Kuvendit Komunal dhe Kuvendit të Kosovës. Është evidente se ky shesh për vite të tëra është lënë pasdore dhe ndodhet në gjendje të keqe.
Por punimet e nisura nuk po i përkrahin organizatat e dala nga lufta. Migjen Shala, udhëheqës i kësaj organizate dhe asamblist në Kuvendin Komunal, tha për Radio Kosovën se nuk do të lejojnë të punohet pa u vendos paraprakisht për emrin e sheshit dhe heqjen e simbolit të Bashkim- Vëllazërimit.
“Si shoqata të dala nga lufta, kërkojmë nga Komuna e Prishtinës dhe institucionet e tjera që ai monument i ish sistemit të kaluar komunist, që simbolizon bashkim vëllazërimin, të hiqet. Sepse nuk mundet ai monument e edhe shtatorja e Adem Jasharit me qenë bashkë. Por nuk mundet që edhe të quhet sheshi “Adem Jashari” e ta ketë atë monument afër”, tha ai.
Shala tha se nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të kërkojnë që Sheshi “Adem Jashari’’ të zhvendoset diku tjetër.
” Nëse nuk ndërrohet ai monument, pra, nuk i ndërrohet sheshit emri, atëherë Sheshi “Adem Jashari” duhet të zhvendoset diku tjetër.”
Ndërsa, Adonis Tahiri, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, ka sqaruar se punimet do të vazhdojnë në shesh, ndërsa për emrin e tij do të vendoset në Kuvendin Komunal.
“Projekti ka të bëjë vetëm me nivelizimin e sheshit dhe vendosjen e pllakave, dhe nuk ka të bëjë as me statujë e as me emër. Për emrin e gjera të tjera do të vendosë Kuvendi Komunal. Ky projekt ka të bëjë vetëm më rregullim të sheshit”, tha ai për Radio Kosovën.
Rregullimi i sheshit do të zgjasë 90 ditë, ndërsa investimet kapin shifrën rreth 312 mijë euro.