Kur një politikë udhëhiqet nga sensi i “konservator” i veprimit, atëherë në atë shoqëri ndryshimet bëhen të pamundura, për aq kohë sa vendin e drejton e njëjta koniunkturë. Askush nuk është i interesuar për këto të fundit. Të gjithë thuajse janë të kënaqur më gjendjen mbretëruese.
Ky sindrom i ka pushtuar partitë politike në Kosovë. Me këtë nuk po them se të gjitha janë njësoj sa i përket dimensionit formal doktrinar të tyre. Sepse ato programet mund t’i shndërrojnë në fontanë dëshirash, kurse ideologjinë e partisë ta ndërrojnë sa hap e mbyll sytë, sipas shijeve momentale të modës. Por për mënyrën e tyre të sjelljes politike. Pushteti tashmë kalkulon se ndryshimi ka ndodhur. Prandaj krejt çka duhet të bëhet është si të ruhen frytet e tij. Mirëpo, paradoksalisht edhe drejtuesit e partive opozitare janë në të njëjtën linjë. Sepse në këtë mënyrë pretendojnë që ta ruajnë pushtetin e tyre në kuadër të formacioneve që i përfaqësojnë. Ata mund të jenë për këmbim të pozitave, por kundër ndryshimeve shoqëror. Qëllimi i tyre është mirëmbajtja e këtyre raporteve si dhe eventualisht ta fitojnë nesër ndonjë pozitë në ekzekutiv që ta shtojnë edhe më shumë klientelën e tyre biznesore. Prandaj, të gjithë janë të kënaqur me gjendjen. Dhe angazhohen vetëm si të ruhet status-quoa aktuale. Kjo është arsyeja që sot skenës politike i mungon dimensioni antagonist shoqëror, por ka vetëm konflikte dhe deri dhunë ndër-personale. Ngase asnjë formacion nuk e përfaqëson “utopinë” e së ardhmes.
E mungesa e elementit “utopik” në mendimin politik, siç ka pohuar Karl Mannheim, e prodhon një gjendje statike, ku në fund te fundit e suspendon edhe politikën. Ngase kjo e fundit shndërrohet në mekanizëm për administrimin e interesave ekzistuese. Kurse aktoret e saj janë thjesht qenie të drejtuara nga “impulset” pa ideale.
Prandaj, utopia e së ardhmes për shtresën me vitale të kësaj shoqërie tashmë janë bërë ambasadat e shteteve perëndimore në Kosovë. Sepse politika vendore është përcaktuar për konservim të kësaj gjendje.