Shoqëria Civile kërkon nga Veseli sqarim për përmendjen e emrit të tij nga të akuzuarit për fajde

Prishtinë | 22 Maj 2019 | 11:22 | Nga Ekonomia Online

Përmendja e emrit të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, nga të akuzuarit për fajde ka ngritur shqetësimin e organizatave të Shoqërisë Civile. Përmes një reagimi ata kanë kërkuar nga ky I fundit që të jetë transparent dhe të qartësojë para qytetarëve këtë që ata e quajnë “paqartësi”, raporton EkonomiaOnline.

Ky është reagimi i plotë i Shoqërsië Civile:

Me datën 20 Maj, disa media shfaqën një video ku mund të dëgjohet se si disa të akuzuar për fajde përmendin emrin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në anën tjetër, nuk kishte asnjë reagim institucional, që do të qartësonte para qytetarëve arsyen dhe kontekstin e përmendjes së Kryetarit të Kuvendit në atë ambient. Nuk është hera e parë që mediat kosovare raportojnë për raste të ngjashme për udhëheqës dhe përfaqësues institucionalë, të cilat pastaj përcillen me mungesë totale të llogaridhënies.

Transparenca dhe llogaridhënia para qytetarëve janë tipare të domosdoshme për demokraci të zhvilluara. Organizatat e shoqërisë civile janë të angazhuara që standarde të këtilla të instalohen dhe aplikohen edhe në Kosovë. Në mënyrë që demokracia kosovare, edhe ashtu e dëmtuar nga keqmenaxhimi disavjeçar i institucioneve publike të mos degradohet tutje, nuk duhet lejuar që heshtja institucionale karshi fenomeneve të tilla të shndërrohet në praktikë dhe normalitet.

Për më tepër, lufta kundër krimit të organizuar është deklaruar si prioritet i Qeverisë së Kosovës. Duke kaluar në heshtje, përmendja e krerëve institucionalë në rrethana të këtilla shkon vetëm sa shkon në të kundërt të kësaj përpjekjeje.

Bazuar në këto parime dhe arsye, organizatat e shoqërisë civile i bëjnë thirrje krerëve të institucioneve, në këtë rast Kreut të Kuvendit, që në pajtim me përgjegjësinë që mbart mbajtja e postit publik, të japë llogari dhe të qartësojë para qytetarëve një përfshirje të tillë.

Ky reagim përkrahet nga:

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

FOL 

Community Development Fund (CDF)

YIHR KS

TOKA 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK)

Qendra për Politika dhe Avokim (QPA)

KONSUMATORI

Ëomen’s Business Association (SHE-ERA)

ROMA IN ACTION

Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale (IZHPS)

Unioni i Punëtoreve Social të Kosovës

Global Shapers Community Kosova

Ndërto të Ardhmen

VISION 02

SËOK –Kosovo

Programi për të Drejtat Civile në Kosove (CRP/K) 

Rrjeti i Radiove për të Drejtat e Njeriut – RDN

Youth Center

Shoqata e Intelektualëve të Pavarur

ZANA

Bliri

Gruaja Hyjnore

Të ngjashme