Dëgjimet publike të mbajtura nga Komuna e Pejës me qytetarë të saj janë monitoruar edhe nga shoqëria civile, kryesisht për kërkesat që i paraqesin grupet e caktuara të shoqërisë dhe sa merren parasysh nga Komuna përfshirja e atyre kërkesave në planet buxhetore.
Çdo vit shoqëria civile e Pejës, konkretisht OJQ “Syri i vizionit” nxjerrin bashkërisht prioritetet për të cilat kanë nevojë këto grupe, përfshirë gratë, fëmijët, këshillat lokale, komunitetet pakicë.
“Ne si shoqëri civile shikojmë se a po futen në planifikimet buxhetore kërkesat e këtyre grupeve”, thotë drejtori ekzekutiv i OJQ “Syri i vizionit”, Veton Mujaj. Bashkëpunim të ngushtë kjo organizatë ka me grupet e fëmijëve që veprojnë në Pejë, veçanërisht me grupin joformal të fëmijëve “ROR – Respect Our Right”, me të cilët janë trajtuar edhe prioritetet e fëmijëve, për t’i ngritur ato si kërkesa drejtuar Komunës në debatet për planifikimin e buxhetit. E njëra prej kërkesave ka qenë që të ndahet me një kod të veçantë një buxhet për fëmijët nga të gjitha drejtoritë komunale.
Teuta Uka nga OJQ “Syri i vizionit”, e angazhuar me programet për fëmijë, e konsideron shumë të nevojshme që Komuna të ndajë një buxhet të veçantë për fëmijët.