Shoqëria civile reagon ndaj letrës së aktivistëve të burgosur të VV-së

Prishtinë | 16 Jan 2018 | 12:59 | Nga

Shoqëria civile, përmes një letre dërguar mediave, ka reaguar në lidhje me letrën e dërguar ditën e djeshme nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Atdhe Arifi e Egzon Haliti, të cilët gjenden në burg të dënuar për veprën penale “terrorizëm”.

Ata thanë se shteti e vrau edhe aktivistin Astrit Dehari, ndërsa pyesin të dorëhequrit nga Lëvizja Vetëvendosje se pse protestat për drejtësi iu lanë shoqërisë civile, e nuk i mori përsipër Lëvizja, kur të gjitha çështjet tjera i kishte zgjidhur vetë Lëvizja e jo shoqëria civile.

Ndërsa, Jeta Berisha, si një prej aktivisteve të shoqërisë civile për të drejtat e njeriut që thotë të ketë qenë iniciatore e protestave #DrejtesiPerAstritin, ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me letrën e aktivistëve të burgosur të VV-së.

“Vdekja e dyshimtë e mikut tonë Astritit, aktivistit dhe studentit të mjekësisë, ka zemëruar gjithë kombin tonë: të gjitha vendet shqipfolëse, shtetet fqinje, mërgatën, madje edhe me larg. Qëllimi dhe inicimi i organizimit të aktiviteteve protestuese #DrejtesiPerAstritin ka qenë i atillë vetëm të bashkojë shoqërinë tonë për të zbardhur një vdekje të dyshimtë që kishte ndodhur në rrethana krejt të dyshimta. Pa rënë në konkludime, pa atakuar askënd dhe pa dashur të lakohen emra”, ka thënë Berisha, raporton Koha.net.

Megjithatë, thotë se pajtohet plotësisht që “Partia juaj nuk arriti të marrë iniciativë organizuese”.

Letra e plotë e Jeta Berishës:

Të nderuar aktivistë Egzon dhe Atdhe,

Po ju shkruaj jashtë grilave të hekurta, pikërisht nga hapësira që duhej të më garantonte lirinë. Ashtu siç e dini edhe ju, kjo liri është krejt e pamundur.

Po ju shkruaj për një arsye, ndonëse vetëm reagim nuk është, por megjithatë shumë e shqetësuar pasi leximit të letrës suaj.

Vdekja e dyshimtë e mikut tonë Astritit, aktivistit dhe studentit të mjekësisë, ka zemëruar gjithë kombin tonë: të gjitha vendet shqipfolëse, shtetet fqinje, mërgatën, madje edhe me larg.

Si iniciatore e protestave #DrejtesiPerAstritin, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe tashmë qe një kohë pjesë e organizatave joqeveritare në Kosovë:

Qëllimi dhe inicimi i organizimit të aktiviteteve protestuese #DrejtesiPerAstritin ka qenë i atillë vetëm të bashkojë shoqërinë tonë për të zbardhur një vdekje të dyshimtë që kishte ndodhur në rrethana krejt të dyshimta. Pa rënë në konkludime, pa atakuar askënd dhe pa dashur të lakohen emra.

Megjithatë, pajtohem plotësisht që Partia juaj nuk arriti të marrë iniciativë organizuese.

Organizimi i protestave:

Kishin kaluar gati dy javë nga vdekja e aktivistit Astrit Dehari dhe asnjë iniciativë, as edhe një.

Përveç marshit përkujtimor dhe statuseve në rrjetet sociale, organizata juaj ishte krejt e heshtur publikisht.

Inicimi i protestave ishte bashkaktivitet me disa aktivist/e tjerë/a, të cilët/cilat disa nga ta/to asnjëherë s’deshën të prezantohen publikisht.

Qindra telefonata dhe kërkesa/ftesa dërguar në adresa të aktivistëve/aktivisteve të shoqërisë civile dhe shumë të tjerë/tjera të cilët/cilat shprehen gatishmërinë e tyre për të na mbështetur.

Bashkëpunimi me SKV-në qe një hap gjigant, aktivistët djem dhe vajza të kësaj iniciative kanë bërë një punë shembullore dhe për çdo lëvdatë.

Por, megjithatë as sot, asnjëherë, s’arrita ta kuptoj se pse ne nuk e kishim përkrahjen e organizatës suaj për aktivitetet e propozuara me karakter rebelues?!

Personalisht, kam qenë e gatshme për çdo praktikë rebelimi.

Qëllimi ynë nuk ishte pezullimi i VV-së nga qarqet organizative, ishte e drejtë themelore e organizatës suaj për të qenë të pranishëm në çdo vlerësim, organizim dhe vendimmarrje.

Ndoshta, ne s’ishim aq të denja për të shtyrë politikat e organizatës suaj. Fundja, kjo nuk ishte punë që na takonte.

Ne ishim të gjitha gra, ndoshta edhe kjo qe një arsye krejt banale që sistemi ynë patriarkal na bëri të dukemi më pak të rëndësishme?!

Ndonëse, drejtësia është vonuar në zbardhjen e këtij rasti…

Vetëvendosja ndoshta heshti, ndoshta dhe jo, apo ndoshta një fatkeqësi e tillë, si rasti i Astrit Deharit mbeti në duart e gabuara për t’u shtyrë para në organizatën tuaj?! Fundja, as edhe kjo s’duhej të ishte preokupim i shoqërisë civile.

Por, sinqerisht disa nga ne vërtet besuam në kauzën #DrejtesiPerAstritin.

Një vit e dy muaj pas vdekjes së dyshimtë të aktivistit tuaj, ne ende s’jemi ndalur së kërkuari #DrejtesiPerAstrtin.

Liria qoftë e juaja!

Të ngjashme