Në tre vitet e fundit, çështja e demarkacionit me Malin e Zi pothuajse ka paralizuar jetën institucionale në Kosovë dhe secila shtyrje e mëtutjeshme do të dëmtojë edhe më shumë qytetarët dhe procesin e integrimeve evropiane të vendit tonë.
Kështu ka thënë KDI në emër të disa organizatave të shoqërisë civile, ndërsa ka potencuar se subjektet politike përfundimisht duhet t’i hapin rrugë idesë së bashkëpunimit e konsensusit, sado i vështirë të jetë ai, për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve të vendit.
“Qytetarët e Kosovës përmes votës së lirë kanë zgjedhur përfaqësues nga të cilët presin përgjegjësi dhe përfaqësim të interesave të tyre. Nuk ka fare dyshim se me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të përmbushet kushti i pashmangshëm në rrugëtimin e Kosovës drejt liberalizimit të vizave”, thuhet në këtë thirrje të shoqërisë civile.
“Ne, organizatat e shoqërisë civile vlerësojmë se debati rreth demarkacionit është konsumuar dhe se tash duhet të veprohet konkretisht për të zhbllokuar situatën, sidomos duke pas parasysh se tani Republika e Kosovës ka në dispozicion mekanizma ligjor për të ri-negociuar me Malin e Zi për përmirësimet eventuale të marrëveshjes për vijën kufitare, nëse faktohet që janë bërë gabime në përcaktimin e saj”, potencohet më tej.
Andaj, përmes kësaj letre, thotë shoqëria civile, edhe një herë u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës “që të ratifikojnë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, duke zgjidhur një nyje që ka mbajtur të lidhur skenën politike kosovare për vite të tëra, por edhe duke shënuar hapa progresiv drejt përfundimit të izolimit të qytetarëve të vendit për udhëtimin e lirë në vendet e Schengenit”.
Organizatat e përfshira në këtë thirrje:
Demokraci Plus (D+)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)
Instituti KIPRED
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Inicitiva për Progres (INPO)
Lëvizja Fol
Lëvizja Çohu
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)