Shpallet i pafajshëm i akuzuari për kanosje të vajzës së axhës

Prishtinë | 18 Qer 2020 | 13:08 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Mërgim Boshnjaku, për veprën penale “kanosja”.

Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten, nga gjykatësi Gazmend Bahtiri, shpenzimet e procedurës bien në barrën e mjeteve buxhetore të gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa e dëmtuara, për të realizuar kërkesën pasurore-juridike, është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ndryshe, Gjykata e Podujevës për këtë rast ka vendosur një herë me urdhër ndëshkimor, mirëpo vendimi ishte kundërshtuar nga i akuzuari, për çka ishte caktuar më pas shqyrtimi gjyqësor.

Sipas aktakuzës së 21 qershorit 2019, Mergim Boshnjaku akuzohet se me 3 qershor 2019, rreth orës 15:00, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, derisa vajza e axhës së tij, e dëmtuara Marigona Boshnjaku ishte në oborrin e shtëpisë së saj, i pandehuri me qëllim që t’i shkaktoj ndjenjën e frikësimit dhe të ankthit, kishte shkuar duke iu drejtuar me fjalët “kam me të kallëzuar ty”, me ç’rast tani të dëmtuarës i ka shkaktuar ndjenjën e ankthit dhe frikësimit se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe.

Më këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 181, paragrafi 1 të KPRK-së.

Të ngjashme