Trupi gjykues në krye me gjyqtaren Valbona Selimi shpallën aktgjykimin me të cilin Artan Kadriun e liruan kundrejt akuzave të cilat i viheshin në barrë nga prokuroria.
Sipas kryetares së trupit gjykues, me asnjë provë nuk është arritur të vërtetohet se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Në mungesë provash është nxjerrë aktgjykim lirues. Prokuroria pretendonte se Kadriu ka kryer veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, transmeton kallxo.com.
Në seancën e kaluar Kadriu ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa kishte thënë se pranon gjykimin veç me ligje të Allahut.
Sipas aktakuzës, Artan Kadriu në mars të vitit 2016 u është bashkuar grupeve- formacioneve të jashtme paraushtarake të përfshira në luftën e Sirisë dhe në momentin kur nga shteti i Sirisë ishte duke u kthyer- hyrë në territorin e Turqisë është ndaluar nga autoritetet turke së bashku me disa persona të tjerë.