Në demokracinë parlamentare, gara politike zhvillohet mbi baza programore e ideologjike dhe është krejt e natyrshme. Lufta më argumente pozitive, dyshuese e negative qoftë edhe atëherë kur bëhet vetëm për anët e dobëta të kundërshtarit në kufijtë e të lejueshmes edhe mund të kuptohet, pasi në secilën garë ka shtyrje e ndërskamca, por nuk është i lejueshëm degradimi pa pardon i individit apo edhe i një pjese të madhe a të vogël të kombit, siç po ndodh goxha shpesh në hapësirën tonë kombëtare.
Gara politike për të marrë përgjegjësi publike, për të qeverisur për kombin e vendin, vërtetë duhet të jetë një garë e ndershme, ku duhet të fitoj ai i cili merr besimin e popullit (qytetarëve). Ndonëse kjo shpesh nuk donë të thotë, se në ketë garë fiton më i miri, më i meritueshmi, më i dijshmi, shpesh fitoren e arrin ai që fiton besimin e shumicës qytetare.
Natyrisht edhe shpesh nuk fiton ai që është më i duhuri. Në gara të tilla, jo rrallë fiton edhe ai që arrin të mashtroi më shumë, por, ky është sistemi demokratik, i cili nuk është sistem i përsosuri, por më të mirë nuk ka krijuar shoqëria njerëzore, thoshte V. Çerçili.
Të gjithë pajtohemi se sistem të përsosur nuk ka, por deri më sot nuk kemi parë as parti e individ të përsosur. Nisur nga kjo që u tha, askush dhe asnjëherë nuk duhet të pretendojnë të shfaqen si parti a individë të përkryer, pasi edhe në rrafsh botëror nuk kemi apo nuk kemi parë diçka të tillë, mbase edhe nuk kemi për të parë!
Ketë nuk e shohim shpesh edhe në vendet me demokraci të konsoliduar, por ama në ato vende në çdo rast sundon ligji e jo Maliqi! Neve, në ketë vit e patëm rastin të shohim dy raste zgjedhjeje në dy vende (shtete) që më të drejtë konsiderohen si vendet amë të demokracisë botërore, në SHBA dhe në Francë, por askush nuk mund të thotë se atje kishte zgjedhje të përkryera! Por ishin zgjedhje demokratike të lira e të pa manipuluara.
jZgjedhje të përkryera në Tokën tonë vështirë se ekzistojnë, ketë nuk mund ta pretendojmë as në zgjedhjet tona të 11 qershorit 2017! Të cilat gjithsesi duhet të jenë të lira, të drejta e demokratike. Por, gjithnjë duhet të synojmë zgjedhje që premtojnë se paku fillimin e zgjidhjeve që i duhen vendit e qytetarëve tanë. Prandaj le të janë këto zgjedhje një garë të ndershme, ku vërtetë secili kundërshtar politik, në rend të parë i shfaq përparësitë e përkushtimet e veta e në anën tjetër le t’i shfaqin të metat dhe dobësitë e kundërshtarit dhe kjo të bëhet jo me gjuhë armiqësore, por me një gjuhë të kulturuar, e argumentuese të vlerave apo të dobësive të gjithsecilit.
Shkurtë, në fund të fundit gara le të jetë ashtu siç thotë poeti Koçi Petriti: “Buzëqeshjen tjetrit ia çmojë për buzëqeshje,/ nëse e njeh si fitoren e humbjen në ndeshje”. Kushdo që përpiqet ta denigroi tjetrin deri në absurditet, duhet ta dinë se e denigruar është kultura dhe edukata e tij, pra i denigruar është vet ai!
Gara zgjedhore le të jetë pa pardon, por në kufijtë e njerëzores se lejueshme sa herë që qëllim parësor është qeverisja e mirë për vendin e kombin! Gjithnjë duke pasur parasysh se jemi pjesë e një kombi me vlera e vese të përbashkëta! Populli ynë për debatin, rrahjen e mendimeve e të ideve e ka një urti e cila thotë: “Me shpata le të gjuhemi, me lugje le të duhemi”! ( Me fjalë të gjuhemi e më zemra të duhemi). Ketë urti popullore e ka hasur dhe e ka përcjellë deri tek ne, mbledhësi i trashëgimisë kulturore të debatit nder shqiptarët, tregimtari ynë popullor, Anton Çeta.
Kjo ishte kultura dhe edukata shqiptare që e kemi të trashëguar ndër breza! Është mirë që ta nxjerrim mësimin e duhur nga kjo trashëgimi e artë edhe në ditët tona!