Shpella e Radavcit, e cila njihet si ‘Bukuroshja e fjetur’, ndodhet vetëm 11 kilometra larg qytetit të Pejës dhe tani për tani mund të vizitohet shtegu vetëm 300 metra prej rreth 2.1 kilometra sa mendohet se është ai shteg.
Kjo shpellë veçohet edhe në aspektin arkitektonik sepse paraqitet si objekt banimi i krijuar nga natyra.
Hyrja e shpellës është nga veri-lindja me një korridor të ngushtë, i cili ka formën e një tuneli, menjëherë në hyrje të saj fillojnë zbukurimet e para të saj, ndërsa kjo shpellë është e ndriçuar nga një dritare natyrore e cila gjendet në pjesën e sipërme të saj.
‘Bukuroshja e fjetur’ është e ndarë në tri pjesë:Galeria hyrëse e cila gjendet në fillim të shpellës, galeria qendrore në të cilën gjenden zbukurime të tjera, si dhe lakuriqët të cilët janë karakteristikë e kësaj pjese dhe janë të ekspozuar në pjesën qendrore, prandaj galeria qendrore ndryshe njihet edhe si galeria e lakuriqëve.
Pjesa e fundit e shpellës është galeria e vaskave, njëherësh pjesa më e bukur e shpellës. Këto vaska janë të formuara nga rrjedha e ngadalshme e ujit. Pranë këtyre vaskave gjendet edhe forma e gdhendur e një dore e cila është edhe simboli i shpellës.
Gjatësia e saj është 2.1 kilometra, por për vizitorë është mundësuar shtegu vetëm 300 metra’’, tregoi Katallozi.
Për hapjen e shpellës së Radavcit janë investuar rreth 25 mijë euro dhe hapja e saj krijon qasje të re turistike në vend si dhe ndikon në zhvillimin e turizmit në Kosovë.
Jo shumë larg nga kjo shpellë, buron lumi i Drinit të Bardhë, i cili jep një pamje madhështore në formën e ujëvarës më të madhe jo vetëm në vendin tonë por edhe në rajon dhe tani ky kompleks paraqet një atraksion të vërtetë turistik.
Vizitorët mund të shohin atraksione interesante të krijuara nga natyra, që do të ju mahnitin.
Sipas studiuesve, kjo shpellë ka indikacione të periudhës së paleolitit, andaj duhet të ketë një trajtim të posaçëm për arsye se në vendin tonë akoma nuk janë konfirmuar gjurmët e kohës së gurit, përkatësisht paleolitit.