Kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, do të jetë bashkëkryesues i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, shkruan Periskopi, duke u thirrur në burime të saj.
Ahmeti këtë ekip do ta kryesojë së bashku me kryetarin e Nismës, zëvendëkryeministrin Fatmir Limajn.
Periskopi raporton se Ligji mbi negociatat si dhe Ekipi negociator i Kosovës në dialogun me Serbinë do të votohen në seancën e nesërme në Kuvend.
Partitë politike muaj më parë kanë nisur bisedimet për çështjen e krijimit të ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Votimi i nesërm nuk është paraparë në agjendën të cilën e ka prezantuar kryesia sot por sipas burimeve bëhet e ditur që marrëveshja mes parrtive është arritur sonte në orët e vona.
PSD-ja ka 11 deputetë në Kuvendin e Kosovës, që në fakt janë fituar si pjesë e Vetëvendosjes.
Ky vendim vjen në ditën e njëjtë kur krerët e shtetit patën takime me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.
Qeveria e Kosovës, në shtator të këtij viti, në krye të këtij ekipi kishte emëruar kryetarin e Nismës dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limajn. Ekipi do të ketë përfaqësues të koalicionit qeveritar si dhe ka vendet e rezervuara për ekspertë nga shoqëria civile si dhe përfaqësues të opozitës.