Shpërthime masive dhe zjarr në një depo municioni në Ukrainë (Video)

Prishtinë | 27 Sht 2017 | 14:46 | Nga

Dhjetëra mijëra njerëz janë evakuuar pas shpërthimeve masive dhe zjarrit në depon e madhe të municionit në Ukrainën qendrore, shkruan Independent.

Shërbimet emergjente të Ukrainës kanë publikuar se deri te zjarri e më pas edhe te shpërthimet ka ardhur në bazën ushtarake në afërsi të vendit Kalinivka në rajonin e Vinnicja, 180 kilometra në perëndim të kryeqytetit Kiev.

Së paku dy persona janë lënduar dhe janë dërguar në spital, ka publikuar Shërbimi shtetëror për gjendje të jashtëzakonshme.

Zjarri ka shkaktuar një sërë shpërthimesh të granateve të topave të kalibrit 122 dhe 125 milimetra të cilët, sipas policisë, janë dëgjuar tërë natën. Të mërkurën në mëngjes shpërthimet dëgjoheshin përafërsisht çdo pesë sekonda në Kalinivka, edhe pse më të dobët se gjatë natës.

Në agim një shpërthim i fortë shkaktoi një re gjigante tymi të lart disa qindra metra.

Më shumë se 30.000 persona janë evakuuar nga lokalitetet fqinje ku së paku katër shtëpi pësuan nga shpërthimet, ka kumtuar policia kombëtare.

“Trafiku ajror është mbyllur në rreze prej 50 kilometrash rreth zonës së zjarrit”, ka shkruar në Facebook Yurij Lavernjuk, ndihmës ministri i infrastrukturës së ukrainase.

Të mërkurën një numër i madh i ushtarëve dhe policëve me xhaketa anti plumb patrullojnë nëpër rrugët e Kalinivkas.

Në vendin e shpërthimit ka arritur edhe kryeministri i Ukrainës Volodymyr Groysman i cili ka përmendur se pas shpërthimit qëndrojnë “faktorët e jashtëm” me indikacionin se dyshohet në sabotim.

Ai gjithashtu ka shtuar se po hetohet shkaktari i zjarrit.

Olena Gitljanska, zëdhënësja e Shërbimit të Sigurimit të Ukrainës, ka thënë për agjencinë Unian se zjarrin janë duke e trajtuar si sabotim por nuk ka dhënë informata shtesë.

https://www.youtube.com/watch?v=VAeRKqurmJQ

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme