Ministria e Punëve të Brendshme, ka organizuar ushtrimin funksional për testimin e koordinimit të vendimmarrjes nga niveli lokal deri te grupi ndërinstitucional për menaxhimin e incidenteve. Në këtë konferencë u prezantua skenari demonstrues me temën “Tërmeti dhe dëmtimi i digës së liqenit të Batllavës”.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se diga e Liqenit të Batllavës, paraqet rrezik të madh për shumë fshatra të rajonit të Podujevës, por edhe me gjerë.
Ai paralajmëroi të gjitha institucionet gjegjëse, që të ndërmarrin hapat e duhur për të parandaluar një katastrofë që ai e quajti të pa paramenduar, raporton Ekonomia Online.
“Kërkojmë nga grupi ndërministror të ndërmerr veprime të shpejta për arsye se situate atje është shumë e rëndë. Nëse diga shpërthen do të krijohej një situatë tepër e rëndë dhe e jashtëzakonshme, ngase do të rrafshonte shumë fshatra në rajonin e Podujevës, por edhe të Komunës së Prishtinës”, tha Veliu.
Naim Rexha, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë, tha se është kërkuar një mobilizim i dy drejtorive policore, të cilat kanë mbajtur në teren aktivitete mbështetëse për institucionet përgjegjëse reaguese të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.
Në rast të dëmtimit, apo shpërthimit të digës së liqenit të Batllavës, e përgatitur thotë të jetë edhe FSK-ja.
Përfaqësues të kësaj force, thanë se FSK ka të paraparë intervenimet në tërë territorin e Kosovës në rast të fatkeqësive. Po ashtu FSK është në gatishmëri për intervenim në rast të fatkeqësive natyrore me njësitë e Kërkim Shpëtimit, për të ngritë tenda për sistemimin e banorëve, por edhe të të lënduarit, si edhe për dhënien e ndihmës së parë.