Rreth 930 persona u shpëtuan gjatë disa operacioneve në Mesdhe, në brigjet e Libisë, theksuan sot rojat bregdetare italiane që koordinojnë operacionet.
“Rreth 800 persona u shpëtuan sot gjatë tetë operacioneve të ngjashme”, deklaroi një zëdhënës i rojave bregdetare.
“Këta migrantë ndodheshin në bordin e pesë barkave të mëdha, një barke të vogël dhe dy gomoneve”, shtoi ai.
Ai shtoi se 130 persona të tjerë ishin shpëtuar një ditë më parë duke e çuar totalin këto 48 orët e fundit në rreth 930 migrantë.
OJQ-ja MSF theksoi në llogarinë e saj në Twitter se kishte shpëtuar 716 nga këto persona dhe gjetën një trup të mbytur, përcjell Atsh.
“Ne do të përfundojmë operacionin e pestë të shpëtimit dhe kemi tashmë 716 persona në bord. Fatkeqësisht, për një person kemi ardhur shumë vonë”, theksoi MSF.
Sipas Komisariatit të Lartë të OKB-së për refugjatët (HCR) rreth 61 250 persona kanë mbërritur në Itali që prej fillimit të vitit dhe 1 778 kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur gjatë të njëjtës periudhë në përpjekje për të kaluar Mesdheun.