Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në futboll ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen kualifikuese të Evropianit të vitit të ardhshëm kundër Gjermanisë.
Stërvitjen e së dielës Shpresat e kanë zhvilluar në fushën me bari sintetik të “2 Korrikut” të Prishtinës.
Ndeshja Kosova – Gjermania zhvillohet të martën në Mitrovicë nga ora 18:45, në kuadër të Grupit 5, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Na pret një ndeshje e vështirë kundër Gjermanisë, pasi dihet që kemi të bëjmë me kampionët në fuqi. Mirëpo ne jemi të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe synojmë që të bëjmë befasi, duke marrë një barazim e pse jo edhe fitore. Gjermanët janë shumë të fortë, por e kemi analizuar lojën e tyre dhe do të japim maksimumin që të nxjerrim rezultat pozitiv në këtë ndeshje”, ka thënë mesfushori Rron Broja.
Kosova të enjten e mposhti Azerbajxhanin me shifrat 2:0, po në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.