Rekord rastesh të reja me Covid-19 janë konfirmuar gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se pas kryerjes së 1351 testimeve janë zbuluar 203 qytetarë të prekur me koronavirus. Bashkia me numrin më të madh të rasteve vijon të jetë Tirana e ndjekur nga Fier, Korça dhe Elbasani.
“Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki:
68 raste në Tiranë, nga 17 raste në Fier, Korçë, 15 në Elbasan, 14 në Berat, 12 në Lezhë, 10 në Durrës, 9 në Lushnje, 6 në Pogradec, nga 5 raste në Vlorë, Sarandë, nga 3 raste në Gramsh, Kuçovë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Mirditë, Tepelenë, Roskovec, nga 1 rast në Krujë, Kavajë, Librazhd, Mat, Fushë-Arrëz, Selenicë, Bulqizë, Shijak, Vorë”, thuhej në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë.
Fatkeqësisht gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 5 pacientë.
“Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një 59 vjeçare nga Elbasani, një 79 vjeçare nga Vlora, një 87 vjeçare nga Tirana dhe dy qytetarë nga Durrësi: 66 dhe 85 vjeç”, thuhej në njoftimin e ministrisë.
87 qytetarë janë shëruar duke e çuar në 9762 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 239 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.
15 955 persona janë infektuar me Covid-19 në Shqipëri që prej fillimit të epidemisë. Nga këta, 9762 janë shëruar ndërsa 434 kanë humbur jetën. Aktualisht vijojnë të jenë aktive 5759 raste me virusin Sars-Cov-2. /tvklan.al