“Sunfire 240 SC”, ky insekticid i rrezikshëm është i ndaluar të përdoret në Shqipëri. Kjo pasi nuk është pjesë e listës së mbrojtjes së bimëve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila duhet të jetë e njëjtë me atë të Bashkimit Evropian.
Pavarësisht kësaj, “Sunfire” përdoret gjerësisht nga fermerët tanë për të luftuar tutën absolute ose krimbin e bardhë.
Burime për Top Channel bëjnë të ditur se ky helm i rrezikshëm në Shqipëri hyn kontrabandë nga Serbia dhe Greqia. Si rregull për të eliminuar insektet e serave dhe fushave, fermeri duhet të përdorë luftën e integruar që është spërkatja e bimës me insekticide të lejuara. Nëse do të respektohet sasia e spërkatjes dhe shpërbërja e helmit, atëherë ushqimi do të jetë i shëndetshëm.
Përdorimi i “Sunfires” në bujqësi mund të shfarosë krimbin e bardhë nga bima, por ky helm i rrezikshëm nuk shpërbehet nga fruta-perimet dhe destinacioni final është organizmi ynë.
“Duke përdorur ilaçe të pakontrolluara fermerët tanë arrijnë të kontaminojnë me helme të rrezikshme edhe tokën, për pasojë kultura bujqësore e radhës e kultivuar në një tokë të droguar nuk do të jetë cilësore”, thotë Tch.
“Është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ai që duhet të kujdeset se çfarë hamë, por ky institucion kontrollet e tij së pari duhet t’i fillojë nga banakët e farmacive bujqësore dhe veterinare të cilat janë të mbushura me ilaçe vdekjeprurëse. Tregtimi i helmeve të rrezikshme mund të sjellë të mira materiale për një grup të vogël individësh, por shkakton pasoja serioze në shëndetin tonë”, thekson më tej televizioni.