Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dëshiron të ketë mbështetje nga Bashkimi Evropian për goditjen e bandave kriminale, që përfitojnë nga shitja e drogës, prostitucioni, trafikimi i njerëzve dhe nga aktivitetet e tjera joligjore.
Në një letër dërguar dje 28 shteteve anëtare të BE-së, zoti Rama ka shkruar se liderët e bandave duhet të arrestohen dhe ndiqen penalisht, ndërsa çfarëdo pasurie e fituar nga ky aktivitet kriminal të konfiskohet, raporton agjencia AP nga Tirana.
“Ne dëshirojmë ta kemi ndihmën tuaj dhe ta afrojmë tonën, që t’i kapim këta njerëz dhe t’i sjellim para drejtësisë”, ka shkruar zoti Rama.
Vlerësohet se liderët e krimit në Shqipëri arrestohen dhe dënohen rrallë herë.
Kryeministri Rama thotë se disa prej tyre veprojnë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Luftimi i krimit të organizuar dhe veçamërisht i trafikimit të drogës, është sfida kryesore për Shqipërinë, që prej vitit 2009 është anëtare e NATO-s dhe prej vitit 2014, ka status të kandidatit për pranim në BE.
Tirana shpreson se vitin e ardhshëm do të fillojnë negociatat për pranim në Bashkimin Evropian.