Spanja shihet si superfavorit ndaj formacionit kuqezi të Gianni de Biasi.
Pavarësisht shkrimeve të shumta dhe elozheve që mediet spanjolle shkruajnë për Kombëtaren shqiptare, kompanitë e basteve janë të sigurta se Spanja do të fitojë në “Loro Boriçi”.
Ekipi që ka fituar Kupën e Botës dhe atë të Evropës shihet si superfavorit ndaj formacionit kuqezi të Gianni de Biasi. Fitorja e tyre në Shqipëri kuotohet me koeficientin 1.33.
Barazimi në këtë ndeshje kap kuotën 4.75, ndërsa fitorja e Shqipërisë kuotohet me koeficientin 10. E tillë ishte edhe situata përpara ndeshjes me Lihtenshtejnin dhe Shqipërisë, por këtë herë rolet kanë ndryshuar sepse Shqipëria përballë Spanjës, për kompanitë e basteve shihet thjesht si një Lihtenshtejn, përcjell “Panorama Sport”.
Në letër, ekipi spanjoll është nga ato skuadra që mund të jetë favorit përballë shumë kombëtareve në të gjithë botën, por ajo që do të vendosë është fusha e lojës. Shqipëria mund të ketë rezervuar ndonjë surprizë, e cila do të jetë e pakëndshme për ekipin e Julen Lopeteguit.