Shqipëria dhe Kosova janë ende shumë larg e të qenit një treg i përbashkët, pavarësisht se si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë politikanët e kanë përdorur shpesh kartën e patriotizmit, përfshirë atë ekonomik, për qëllimet e tyre elektorale. Ky ka qenë konkluzioni i përfaqësuesve të biznesit dhe ekspertëve të ekonomisë në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë (DHTI) në Tiranë, Nikolin Jaka, qeveritë në të dy anët e kufirit e kanë zëvendësuar bashkimin doganor me taksa private që vijnë nga koncesionet. Nga një analizë që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë i ka bërë qarkullimit tregtar me Kosovën dhe anasjelltas, për kamionët që transportojnë mallra me vlerë nga 1 mijë deri në 20 mijë euro, vetëm kostoja nga tarifat private të koncensioneve pa përfshirë taksat doganore (TVSH-ja plus taksat e tjera) arrin në 280 euro për çdo kamion.
Në këtë vlerë përfshihet tarifa prej 45 eurosh (vajtje-ardhje) që kamionët paguajnë te stacioni i pagesës në Rrugën e Kombit, tarifa e skanimit në doganën e Shqipërisë, tarifa e terminalit doganor në Kosovë, si dhe kosto të tjera nga procedurat burokratike.