Shqipëria dhe Kosova angazhohen të rrisin bashkëpunimin mes tyre lidhur me menaxhimin e mbështetjes buxhetore sektoriale.
Në këtë kuadër një delegacion i ministrisë së Financave të Kosovës, zhvilloi një vizitë studimore pranë ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, me qëllim përfitimin nga përvoja jonë në menaxhimin e mbështetjes buxhetore sektoriale në fushën e reformave për menaxhimin e financave publike.
Delegacionet e ministrive homologe të drejtuar respektivisht nga zv/ministrat e Financave, Erjon Luçi dhe Fatmir Gashi, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme nga të dyja palët shkëmbyen eksperiencat e tyre.
Zv/ministri i Financave të Shqipërisë, Luçi shprehu mirënjohjen dhe gatishmërinë për të shkëmbyer përvojën disa vjeçare të Shqipërisë mbi mbështetjen buxhetore. Gjithashtu, ai e cilësoi shumë të dobishme këtë vizitë për të shkëmbyer eksperiencat e mira që secili vend ka, ashtu edhe për të parë mundësi të reja bashkëpunimi.
Ndërsa sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Gelardina Prodani vlerësoi rolin domethënës në fazën e negocimit të kontratës së reformave sektoriale, konkretisht për identifikimin e kritereve specifike dhe sipas saj, përfitimi nga përvoja e Shqipërisë do të ishte shumë i dobishëm. Gjithashtu shprehu gatishmërinë që bashkëpunime të tilla ndërmjet dy vendeve të jenë më intensive.
Zv/ministri i Financave të Kosovës, Gashi vlerësoi se strategjia e menaxhimit të financave publike (MFP), si shtylla e tretë në kuadër të reformave të administratës publike (RAP) në Kosovë, është një hap i rëndësishëm për vendin por edhe në rrugën e përbashkët drejt Bashkimit Europian.
Në pjesën tjetër të takimit u mbajtën referime mbi çështjet kryesore në fushën e financave publike të pasuara nga diskutime dhe sugjerime të pjesëmarrësve nga të dyja palët.
Në përfundim të takimit, nga të dyja palët u konkludua për domosdoshmërinë e takimeve të vazhdueshme mbi ndarjen e eksperiencave nga të dy vendet.
Kjo vizitë studimore u realizua me ndihmën e donatorëve, projekti Rajonal GIZ.