Shqipëria pritet që ta hapë kufirin me Kosovën më 28 maj.
Kështu kanë konfirmuar burime zyrtare për Klan Kosovën.
“Pra me 28, eventualisht në fund të muajit planifikohet të hapet kufiri me Kosovën”, thotë burimi brenda qeverisë shqiptare.
Në ndërkohë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë fjalimit të tij të djeshëm në Kuvend paralajmëroi se Shqipëria brenda muajit maj do të jetë e hapur tërësisht nga masat e marra për pandeminë.
“Brenda majit, Shqipëria do të jetë e hapur tërësisht, kufijtë do të jenë hapur dhe ne do të përgatitemi për sezonin turistik”.
Por, kur do ta hapë Kosova kufirin e saj me Shqipërinë?
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti ka thënë për Klan Kosovën se sipas planit aktual hapja e kufijve dhe aeroporteve rivlerësohet në fazën e tretë të hapjes – që fillon më 1 qershor.
Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që hapja e kufijve, në veçanti me Shqipërinë, të ndodhë edhe më herët.
“Ministria e Shëndetësisë me institucionet e tjera janë çdo ditë në përcjellje dhe vlerësim të situatës dhe vendimet i marrin duke u bazuar në rekomandimet nga institucionet përgjegjëse për situatën epidemiologjike dhe rrethanat e tjera”.
Ai po ashtu thotë se Shqipëria mund ta hapë kufirin njëanshëm, sepse “secili shtet vendos për kufijtë e vet”.
Në një situatë kur Shqipëria hap kufirin me Kosovën, por jo edhe Kosova, a do të karantinoheshin të gjithë qytetarët që vijnë nga Shqipëria?
“Nëse nuk hiqet karantina e kuptueshme është që po, pos kategorive që nuk hyjnë si: personat mbi 70 vjet, të sëmurët kronikë, fëmijët nën moshën 18 vjeçare, mjekët, pjesëtarët e Policisë dhe FSK-së, personat që marrin pjesë në ceremoni familjare varrimi dhe personat që dëshmojnë se në tre ditët e fundit kanë bërë testin, por për çdo ditë rivlerësohet situate. Karantina mund të hiqet nesër ose pas një muaji – këto janë gjëra që ndryshojnë varësisht situatës”.
Në ndërkohë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit – Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi duket se janë në anën e njëjtë me Kosovën, pasi akoma nuk i kanë hapur kufijtë e vet ndryshe nga Serbia, e cila edhe pse është më e goditura në rajon, nga pandemia ka hapur krejt kufijtë dhe ka hequr të gjitha ndalesat.