Shqipëria hyn në fazë lehtësimesh të reja, hapen parukeritë, dentistët e qendrat tregtare

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria nga e hëna ka hyrë në një fazë me lehtësime të reja, të vendosura nga qeveria, për hapjen graduale të bizneseve që janë mbyllur si pasojë e koronavirusit.

Kështu 14 zona të reja të gjelbra, i shtohen hartës: Lushnje, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejës, Kavajë dhe Vorë.

Në këto zona ka zgjatje të fashës së orarit për të lëvizur nga ora 05:00-21:00 si dhe lejohet qarkullimi ndërqytetës brenda zonave të gjelbra me automjet privat duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njëjtës familje.

Po nga e hëna do të hapen edhe blloku i tretë i bizneseve, duke lejuar që të ushtrojnë aktivitetin e tyre sipas protokolleve strikte të sigurisë, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare.

Ndryshim do të ketë edhe me karantimin e të riatdhesuarve, ku nuk do të ketë më karantinim në hotele, por të gjithë do të karantinohen në banesat e tyre, raportojnë mediet në Shqipëri, transmeton KOHA.

Nga ana tjetër, në lidhje me grumbullimet mbeten në fuqi rregullat se: nuk lejohen qëndrimi me më shumë se 5 veta, aktivitetet kulturore dhe sportive të çdo lloji dhe transporti publik si dhe njësitë ekonomike ende të mbyllura.

Gjithashtu përjashtim bëjnë dhe 6 bashkitë e vendit, Tiranë, Durrës, Shkodër, Kurbin, Krujë dhe Fier, që do të vijojë i njëjti regjim oraresh dhe rregullash të qarkullimit si deri tani. Këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara nga zona e gjelbër te e kuqja dhe e kundërta.

Nga 11 maji:

-Shtohen 14 zona të gjelbra

-Hapen parukeritë, berberët, klinikat dentare dhe dyqanet në qendrat tregtare

-Në zonat e gjelbra shtohet fasha e orarit nga ora 05:00-21:00

-Të riatdhesuarit karantinohen të gjithë në banesat e tyre

Çfarë nuk lejohet ende pas 11 majit

-Blindohen me postblloqe 6 zonat e kuqe

-Nuk lejohen kalimi nga zona e kuqe në atë të gjelbër

-Nuk lejohen grumbullimet

-Janë të ndaluara aktivitetet sportive e kulturore

-Nuk lejohet transporti publik

-Nuk lejohet hapja e aktiviteteve që nuk janë të përcaktuara në listën e 11 majit

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme