Shqipëria kërkon ndëshkimin e Serbisë për bllokimin e linjës së rrymës me Kosovën

Prishtinë | 25 Mar 2018 | 12:55 | Nga

Konfindustria shprehu publikisht, para përfaqësuesve të nivelit të lartë të BE-së dhe SHBA-së, pjesëmarrës në Forumin Ndërkombëtar për Energjinë zhvilluar më 20 mars në Prishtinë, shqetësimin për vazhdimësinë e moslejimit prej 2 vjetësh nga ana e Serbisë të vënies në punë të linjës 400kw të energjisë elektrike Shqipëri-Kosovë.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë në Shqipëri, thotë të kenë kërkuar edhe ndërhyrje më energjike të institucioneve ndërkombëtare për zgjidhjen e situatës paradoksale në fjalë, që krijon shkak të pastër për fillimin e një lufte tregtare në Rajon.

“Shqipërisë dhe Kosovës, investimi për linjën 400 KW u ka kushtuar mbi 75 milionë euro të kredituara nga banka gjermane KFW. Mosvënia në punë, jo vetëm i shkakton një dem financiar prej miliona euro/vit, por rrezikon sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe Kosovës, si edhe pamundëson krijimin e Tregut Rajonal të Energjisë të kërkuar nga BE-ja si pjesë e proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Buxhuku, raporton Koha.net.

Konfindustria vlerëson se masat kundërpërgjegjëse nga Shqipëria dhe Kosova ndaj Serbisë mund të jenë të tipit tregtar dhe ligjor, duke patur parasysh demin financiar, që bllokimi i paarsyeshëm i vënies në punë të linjës 400kw i shkakton të dy shteteve.

“Shqipëria dhe Kosova importojnë nga Serbia prodhime me vlerë deri 500 milionë euro/vit. Traktatet ndërkombëtare parashikojnë marrjen e masave ndëshkuese si kundërpërgjigje ndaj politikave ekonomike dhe tregtare të pandershme të një vendi”, përfundon Konfindustria.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme