Shqipëria mbetet e kërcënuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 08:06 | Nga Ekonomia Online

Shërbimi Informativ Shtetëror(SHISH) i Shqipërisë vlerëson në raportin e tij të parë publik për vitin 2018 se terrorizmi është një kërcënim global dhe lufta ndaj tij është një tjetër përparësi shumë e rëndësishme për SHISH-in.

Ky institucion, në raportin e tij, vlerëson se kthime masive të luftëtarëve të huaj terroristë (LHT) nuk janë të pritshme në terma afatshkurtër. Një pjesë e tyre, mund të tentojë të kthehet në vendet e origjinës ose në vende të treta nëpërmjet rrjeteve të trafikut njerëzor dhe krimit të organizuar. Por me gjasë, sipas SHISH-it, organizata do të tentojë të ringrihet në rajone me vakum sigurie, shkruan Koha Ditore.

SHISH-i, ky institucion me rëndësi kombëtare në Shqipëri, jep informacion edhe ndaj krerëve të shtetit për t’u dhënë një tablo më të qartë për vendimet politike që duhet të marrin, por edhe për bashkëpunëtorët e jashtëm, siç janë partnerët strategjikë të Shqipërisë.

Ndërkaq sipas raportit të SHISH-it, Shqipëria mbetet e kërcënuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, si aktivitete kryesore potenciale që mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Këtë e bën të ditur një nga institucionet më të rëndësishme, por edhe më i besueshëm në vend siç është Shërbimi Informativ Shtetëror.

Në raportin e tij për vitin 2018, SHISH-i informon gjithashtu se lufta kundër krimit të organizuar si përparësi kryesore e Qeverisë shqiptare dhe agjencive ligjzbatuese janë në fokusin e punës së saj të përditshme. Interes i shtuar për këtë fushë të SHISH-it bëhet për shkak të ndikimit negativ në zhvillimin ekonomik, pasojave sociale dhe cenimit të sigurisë kombëtare. SHISH-i vlerëson se struktura të tilla kriminale janë agresive, kanë prirje për zgjerim dhe përshtatshmëri, për të shmangur masat e shtuara të agjencive të zbatimit të ligjit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme