Shqipëria mikpritëse e Botërorit të Mundjes për të rritur

Prishtinë | 22 Tet 2024 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria do të jetë mikpritëse e Botërorit të Mundjes për të rritur (peshat jo Olimpike), që ka nisur dje dhe zgjatë deri më 27 Tetor në Parkun Olimpik “Feti Borova”.

Ky event i rëndësishëm do të mbledhë mbi 2300 sportistë nga 80 vende të botës, duke shënuar organizimin e parë të këtij niveli në Shqipëri.

Gjatë ceremonisë së hapjes, Presidenti i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni shprehu krenarinë për këtë ngjarje historike, duke theksuar se “jemi krenarë që për herë të parë Shqipëria listohet për organizimin e një eventi të këtij kalibri”. Ai theksoi rëndësinë e mundjes si sport prioritar në vend.

Në të njëjtën linjë, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë (KOKSH), Fidel Ylli, e vlerësoi besimin e organizmave ndërkombëtare ndaj Shqipërisë për këtë event.

Ai gjithashtu njoftoi se mundja do të përfshihet si disiplinë në projektin “Ekipet Sportive në Shkolla”, duke theksuar angazhimin për zhvillimin e këtij sporti në vend.

Më 27 Tetor, në Shijak, do të mbahet edhe Kongresi Botëror i Mundjes, ku pritet të marrin pjesë 200 delegatë nga 117 vende të botës. Ky kongres do të shërbejë si platformë për diskutimin e çështjeve të rëndësishme që prekin këtë sport në nivel global.

Ngjarja e Botërorit të Mundjes për të rritur do të kontribuojë në promovimin e Shqipërisë si një destinacion sportiv dhe do të inkurajojë sportistët shqiptarë për arritje të reja./Atsh/

Të ngjashme