Shqipëria nën flakë, kërkohet ndihmë nga BE-ja

Prishtinë | 04 Gus 2017 | 08:25 | Nga

Vendi po gjendet në vështirësi ditët e fundit, për sa i përket rënies së zjarrit në shumë fshatra e qytete. Çdo ditë Emergjencat Civile kanë njoftuar për vatra zjarri në çdo qark të Shqipërisë.

Dhe ato nuk kanë qenë të pakta, ashtu siç nuk kanë qenë edhe dje. Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Brendshme, të paktën 25 vatra zjarri janë numëruar ditën e djeshme.

Ky fakt ka vënë në vështirësi Emergjencat Civile, pasi kanë kërkuar ndihmë edhe nga autoritetet e vendeve fqinje për shuarjen e tyre.

Këto vatra zjarri janë shënuar në qarqet Tiranë, Vlorë, Dibër, Elbasan, Berat. Për shuarjen e tyre janë angazhuar 15 makina zjarrfikëse, 114 forca zjarrfikëse, 20 punonjës të Gardës, 130 forca ushtarake, 10 forca pyjore, 5 punonjës të zonave të mbrojtura dhe helikopterë.

Specialistët e Emergjencave Civile kanë mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin. Ndërkohë, Qendra Kombëtare Operacionale dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile kanë kërkuar ndihmë pranë Qendrës së Përgjigjes ndaj Emergjencave Civile në Bashkimin Europian për shuarjen e flakëve që kanë përfshirë vendin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme