Shqipëria është një ndër katër portat hyrëse të mallrave kontrabandë për në Evropë, së bashku me Egjiptin, Marokun dhe Ukrainën.
Kështu thotë një studim i fundit i zyrës së pronësisë intelektuale të Bashkimit Evropian, OECD dhe EUROPOL.
Të dhënat e raportit i referohen vitit 2013, të fundit ku ka shifra reale, dhe flasin për një industri globale që vlen plot 460 miliardë dollarë, nga ku 85 miliardë dollarë vetëm në Europë.
Shqipëria figuron në listën e dhjetë vendeve që janë burim i produkteve farmaceutike të falsifikuara, dhe mban vendin e 7-të në këtë listë globale, duke qenë e vetmja evropiane.
Sa i përket produkteve kozmetike dhe parfumeve të falsifikuara, Shqipëria është e gjashta në botë, dhe e treta në Evropë. Në të dyja këto kategori, si për produktet farmaceutike, e si për ato kozmetike, Shqipëria nuk figuron në listën e eksportuesve më të mëdhenj në Europë, çka do të thotë se, një pjesë e mirë e këtyre produkteve mbeten në vendin tonë, ose kontrabandohen në vendet e rajonit.
Sipas Bashkimit Evropian, OECD dhe Europol, Turqia shfrytëzon Shqipërinë si portën kryesore hyrëse të produkteve të falsifikuara drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Për furnizimin e Europës me parfume dhe produkte kozmetike falso, Shqipëria nuk njeh rivalë në kontinent. Rruga kryesore e transportit është tokësore.
Për produktet e lëkurës dhe çantat, Shqipëria është e treta në botë, dhe e para në Evropë, madje ia kalon edhe Hong Kongut, që është ndër prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj në botë të produkteve të falsifikuara.
Te e njëjta kategori, në tabelën e importeve, Shqipëria zbret në vendin e 9-të, çka do të thotë se, një pjesë e madhe e këtyre produkteve janë të destinuara për tregun e brendshëm.
Shqipëria, Bosnja dhe Maroku janë ndër tre vendet kryesore të kontrabandës së këpucëve në Europë. E njëjta gjë vlen për syzet e diellit, pajisjet mjekësore, e sidomos për lojërat e fëmijëve, dhe pajisjet sportive.