Shqipëria do të ketë shumë shpejt një ligj të ri për shërbimet e pagesave, i njohur si sektori fintech.
Ligjvënësit shqiptarë kanë nisur zyrtarisht procedurat e miratimit të ligjit në fjalë, që pritet të nxisë konkurrencën në tregun e pagesave dhe të sjellë shërbime të reja.
Linda Shomo, drejtore e përgjithshme e kompanisë Easy Pay, duke shpjeguar risitë kryesore që do të sjellë ligji i ri në shërbimet e pagesave për qytetarët, thotë se kompanitë e modelit fintech janë një realitet i rëndësishëm tashmë në shërbimet e pagesave.
Shomo thotë se deri tani, kuadri ligjor dhe rregullator nuk e ka favorizuar shumë zhvillimin e këtyre institucioneve financiare.
Një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore ka treguar se pagesat me vlerë të vogël kanë një kosto sa rreth 2.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose pothuajse 300 milionë dollarë në vit.
Kostot e mëdha lidhen shumë me dominimin e parasë fizike si instrument pagesash në ekonominë shqiptare.
Një zëvendësim gradual i pagesave cash me forma të tjera dhe kryesisht pagesa elektronike do të sillte kursime të konsiderueshme për ekonominë dhe veçanërisht për konsumatorët.
Mbështetur në disa skenarë hipotetikë, zëvendësimi i 70 për qind të pagesave në formë letër me pagesa elektronike do të gjeneronte kursime në një vlerë sa pothuajse 1 për qind e prodhimit kombëtar.