“Viking SKY”, një nga anijet e mëdha turistike në botë, ankoroi sot në portin e Sarandës në jug të Shqipërisë, me mbi njëmijë turistë – kryesisht amerikanë.
Ata ishin vizitorë të qytetit antik të Butrintit, një pasuri e madhe arkeologjike e Shqipërisë që mbrohet prej vitit 1992 nga UNESCO.
Autoriteti portual shqiptar tha se mbërritja e anijes është prekja e parë për këtë vit që pritet të shënojë gati një trefishim të anijeve të mëdha turistike që do të mbërrijnë në brigjet shqiptare.
Drejtori i Portit të Sarandës Sotir Davella i tha Zërit të Amerikës se 56 anije me kapacitet nga 1000-3500 vizitorë kanë bërë deri tani rezervimet, ndërkohë që priten të mbërrijnë në port gjatë 2017-ës edhe dhjetëra anije më të vogla.
Njëra prej kompanive, “MSC Cruises”, njoftoi autoritetet shqiptare se do ta bënte Sarandën destinacion të përjavshëm në udhëtimet e saj në Mesdhe, duke filluar nga prilli i viti 2017.
Edhe kompanitë e anijeve turistike “Cunard, P&O Crusises” dhe “Holland America”, njoftuan fundvitin e shkuar se do t’i shmangnin portet turke gjatë vitit 2017 duke i zëvendësuar itineraret me Korfuzin dhe Sarandën.
Sipas të dhënave të autoritetit portual në Sarandë, vitin e shkuar në këtë port u përpunuan rreth 251 mijë udhëtarë, rreth 60 mijë më shumë se viti 2015. Numri i anijeve të mëdha turistike që mbërritën në Sarandë u rrit në 2016 në 22 nga 10 që ishte në vitin 2015.
Autoritet vlerësuan se një rritje pati edhe numri i jahteve ku sipas të dhënave portuale në vitin 2016 u përpunuan 657 jahte nga 455 që ishin përpunuar në vitin 2015. Pjesa më e madhe e mjeteve të lundrimit përpunohen në Kalatën e re që u ndërtua gjatë viteve 2010-2013 me një mbështetje të Bankës Botërore.