Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, të martën ka dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, për keqpërdorimin e mjeteve të Qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar, raporton Ekonomia Online.
Në një deklarim për medie, pas dorëzimit të Kallëzimit, Arifi përmendi me emër ish-kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, e cila tani është këshilltare e kryeministrit Albin Kurti, se është e përfshirë drejtpërdrejt në aferën korruptive.
Sipas tij, dy milionë euro të ndara nga Kosova “në ndihmë të Preshevës”, janë shpërndarë për një grup të caktuar që janë të afërm me VV-në, Partinë për Veprim Demokratik dhe këshilltaren e kryeministrit Albin Kurti. Ai ka ekspozuar fotografi që, sipas tij, e dëshmojnë këtë afërsi.
Sipas tij, dy milionë euro të ndara nga Kosova sikur ishte thënë në ndihmë të Preshevës, janë shpërndarë në kohë fushate për një grup të caktuar që janë të afërm me pushtetin e LVV-së dhe Partinë për Veprim Demokratik.
“Çfarë ka ndodhur është një anomali politike, ku pasi ka humbur pushtetin partia e favorizuar e LVV-së në prill të vitit te kaluar dhe është zhvendosur në pushtet të ri, ka ndërruar edhe qasja e LVV-së ndaj Komunës së Preshevës. Në atë moment e dini, Besnik Bislimi ka qenë në Preshevë ku ka proklamuar që këto ndihma tashmë do të dërgohen nëpërmjet Këshillit Nacional Kombëtar në Luginë të Preshevës”.
“Çfarë ka ndodhur është një krim i organizuar në një formë të paparë më herët, kinse në emër të shqiptarëve, kinse në ndihmë ndaj Luginës. Situata nuk është e lehtë, në këso situata nuk bëhet politikë dhe nuk shfrytëzohet në interesat e tyre klanore. Dy vjet ka zgjatur implementimi i këtij projekti që në fund rezultoi që u shpërndan dy milionë në kohë fushate që ka ndodhur në tetor (2022)”, ka thënë Arifi.
“Me paratë e Kosovës është munduar që të fuqizohet një parti nga 5 partitë në Preshevë”, tha Arifi.
“Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit Kurti, ia ka shpërndarë 27 mijë euro. Agon Islami është anëtar i kabinetit të Shaip Kamberit dhe ka marrë 25 mijë euro veç pse ka një portal. Presionin që na ka bërë shoqatat për një keqmenaxhim kaq të madh për të zhvatur para”.
“Albin Kurti edhe pse nuk ka fakte (kundër tij) në padinë që e kemi bërë, nëse ka folur më së shumti kundër hajnisë është i thirrur për të vepruar”, theksoi kryetari i Preshevës.
Arifi thotë se këtë situatë e ka imponuar Lëvizja Vetëvendosje. “Këtë situatë na e ka imponuar Vetëvendosja. “Ky rrjet që është ndërtuar me njerëzit e tyre, dhe ne dyshojmë që ky rrjet ka pasur një qëllim shumë të qartë”.
Arifi inkriminoi dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, se ia ka ndarë 45.000 euro një OJQ-je (“Coloseum Production”), e cila ishte themeluar vetëm tri ditë përpara konkursit.
Arifi edhe më herët ka kritikuar pushtetin aktual në Kosovë për ndërhyrje flagrante në Luginën e Preshevës. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje po tenton programin e saj politik ta shtrijë edhe Preshevë.